Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq tha se vendi i tij mbështet Gjeorgjinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.
Plenkoviq priti në takim homologun e tij gjeorgjian Irakli Garibashvili në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb. Të dy kryeministrat mbajtën konferencë të përbashkët për media pas takimit.
Plenkoviq, në fjalën e tij theksoi se vendi i tij mbështet Gjeorgjinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ai tha se me homologun e tij kanë diskutuar për zhvillimet në Ukrainë, duke rikujtuar se në Samitin e Liderëve të BE-së më 23-24 qershor 2022 Ukrainës dhe Moldavisë i është dhënë statusi i “shtetit kandidat”.
“Besoj se deri në fund të vitit sërish do t’i negociojmë të tri shtetet dhe Gjeorgjia do të bëjë përparim drejt anëtarësimit të mëtejshëm në BE në aspektin institucional”, tha kryeministri kroat.
Duke e cilësuar si të “vështirë dhe të ndjeshme” situatën politike dhe të sigurisë në Gjeorgji, Plenkoviq nënvizoi se do të vazhdojnë të mbështesin Gjeorgjinë në përpjekjet e saj për reforma.
Garibashvili nga ana e tij e cilësoi Kroacinë si një vend mik dhe partner, ndërsa Kroacia që ka arritur të bëhet anëtare e BE-së është “një shtet shembull në Evropën Juglindore” për vendin e tij.
“Vlerësojmë mbështetjen e fuqishme të Kroacisë ndaj integritetit tonë territorial si dhe në rrugën tonë drejt integrimit evropian”, tha Garibashvili duke shtuar se Gjeorgjia, si një vend i Detit të Zi dhe partner i besueshëm i BE-së, luan rol të rëndësishëm në transportin dhe lidhjen infrastrukturore të rajonit.
Ai potencoi se vizita e tij përkon në 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ndërsa është vizita e parë e një kryeministri gjeorgjian në Kroaci.