Krizë e çmimeve të larta, Ligji i Pagave shpëtim për qytetarët e Kosovës

February 19, 2022
min lexim

Në kohën kur çmimet e shumë artikujve kryesorë dhe energjisë elektrike në Kosovë janë rritur, Ligji i Pagave po shihet si një mundësi e mirë për të ndihmuar qytetarët. Ligji pritet të shkojë në Kuvend për miratim muajin e ardhshëm. Aktualisht paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Nga Fatos Shala

Ligji i Pagave për sektorin publik pritet të shkojë për miratim muajin e ardhshëm në Kuvendin e Kosovës. Nëse arrin të miratohet në këtë periudhë, zbatimi i tij nuk mund të fillojë deri në gjysmën e dytë të vitit.

Por, Sindikata e Punëtorëve shprehet se duhet të përshpejtohet miratimi dhe zbatimi i këtij ligji, për shkak të rritjes së çmimeve të konsumit. Çmimet e produkteve të konsumit në dhjetor të vitit të kaluar janë rritur me 6.7%. Kurse, energjia elektrike nga ky muaj është shtrenjtuar 100%.

Ligji i pagave u miratua në muajin shkurt të vitit 2019 dhe hyri në fuqi në mars. Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kritika për mosmiratimin e këtij ligji. Kryetari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Sindikatave, Ali Gashi, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet në kohën më të papërshtatshme. Gashi tha se me rritjen e çmimit të produkteve të tjera thelbësore, pagat në Kosovë nuk e mbulojnë as gjysmën e muajit.

“Ne e bashkëndiejmë dhe konsiderojmë që kjo rritje e çmimit bëhet në kohën më të papërshtatshme për qytetarin. Krahas saj, kemi edhe rritje të madhe të çmimeve. E kemi rritjen e çmimeve të derivateve, e kemi rritjen e çmimeve esenciale. Po hyre tani në markete, e sheh që janë të tmerrshme çmimet e produkteve esenciale, të mos flasim për produkte të tjera. Prandaj kur mblidhen të gjitha këto i bie që paga në Kosovë, duke përfshirë edhe shërbimet e tjera, të mos mund të mbulojë as gjysmën e muajit”.

Ligji rrit koeficientin e pagave

Ligji i shfuqizuar, aktualisht, është në fazën e fundit të hartimit dhe së shpejti pritet të fillojë edhe procesi i konsultimeve paraprake, pastaj edhe konsultimeve publike. Sindikata e Policisë dhe ajo e Arsimit thanë se i kanë marrë ftesat për dërgimin e emrave të përfaqësuesve të tyre, por deri më tani nuk është caktuar ndonjë takim.

Ata kanë theksuar se nuk do të pajtohen me projektligjin për paga, në rast se kërkesat e tyre nuk përfshihen në këtë dokument.

“Është i vetmi institucion ku puna është me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e punonjësve, për këtë ia vlen të mendohet mirë sa i përket nivelit të pagave. Është një ndër institucionet më të rëndësishme që meriton të ketë rritje në mënyrë që policia të ndihet që po e respekton dikush dhe ka dinjitet”.

Në Ligjin e shfuqizuar, koeficienti për pjesëtar të policisë ka qenë 2.2 apo rreth 470 euro, kurse me projektligjin aktual, sindikata kërkon që paga bazë të mos jetë nën 600 euro, pa përfshirë kompensimet për punën jashtë orarit, ndërrimin e natës dhe rrezikshmërinë. Numri i punonjësve të Policisë së Kosovës llogaritet të jetë më shumë se 9,200. Paga bazë e tyre aktualisht është 392 euro.

Sipas Ligjit të pezulluar, paga bazë është ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficientëve është një me dhjetë (1:10).

Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Me koeficientin 9, paga arrin në 2,150 euro.

Përveç Sindikatës së Policisë, miratimin e këtij projektligji e kanë kërkuar disa herë edhe Sindikata e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe Sindikata e Zjarrfikësve. Paga e mjekut specialist aktualisht është 600 euro, 470 euro pagë mujore marrin mësimdhënësit në arsimin parauniversitar, kurse nga 280 deri në 330 euro është paga për zjarrfikësit.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka thënë se nëse nuk përfshihen në projektligj kërkesat e SBASHK-ut, në “sistemin e arsimit parauniversitar nuk do të ketë qetësi”. Kërkesat e SBASHK-ut janë që të nivelizohet koeficienti i pagës së punonjësve arsimorë të ciklit të ulët me punonjësit e arsimit të mesëm të lartë.

“Mësuesit dhe arsimtarët me ligjin e ri duhet të jenë të barabartë sa i përket koeficientit, ashtu siç janë edhe tashmë. Nëse nuk përfillen propozimet tona të argumentuara, atëherë Qeveria le ta dijë se po na dërgon drejt një situate tjetër dhe kongresi mund të marrë vendim për grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor”.

Kosova, me pagën më të ulët në rajon

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, tha se nëse projektligji i pagave miratohet në muajin mars në Kuvendin e Kosovës, zbatimi i tij nuk mund të nisë menjëherë.

“Por, edhe nëse projektligji i pagave miratohet në muajin mars në Kuvendin e Kosovës, zbatimi i tij nuk mund të nisë menjëherë, për shkak se ky projektligj nuk është përfshirë në buxhetin e këtij viti. Ligji i pagave duhet të ketë implikime të larta buxhetore dhe nuk mund të hyjë pa rishikim të buxhetit apo në fillim të vitit të ardhshëm. Ende nuk dihet kostoja e tij, pasi nuk ka arritur në komision për shqyrtim”.

Rishikimi i buxhetit – ndryshimi i Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, bëhet zakonisht në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht në muajin qershor. Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta. Paga mesatare neto, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 542 euro.

Kurse paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon, ndjekur nga Shqipëria me 248 euro. Në Bosnjë-Hercegovinë, paga minimale është 300 euro, në Maqedoninë e Veriut, 359 euro, në Serbi 401 euro dhe në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro.

Shtrenjtohet energjia, nafta e ushqimi

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka miratuar rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët që tejkalojnë konsumin mbi 800 kilovat.Ata që shpenzojnë energji më shumë se 800 kilovat, tarifa për ta do të jetë 12 cent, më e larta dhe 6 cent, më e lira.

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka kritikuar Qeverinë dhe ZRRE-në për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kaçaniku ka thënë se janë të ngopur me politikë, teksa pret veprime më konkrete në këtë drejtim. Më tej, ai thotë se kanë humbur besimin në institucione, pasi, sipas tij, të gjithë janë politizuar.

“Unë kam reaguar në vendimin e qeverisë dhe kryeministrit që ta subvencionojë rritjen në 90 milionë euro, pra nga xhepi ynë e tash do ta paguajmë edhe energjinë elektrike, edhe këto para janë tonat. Zakonisht organizata ‘Konsumatori’, por edhe unë, kemi marrë pjesë në diskutimet publike për energjinë elektrike. Kësaj radhe nuk kemi marrë pjesë dhe ia kemi bërë pyetje publike kryeministrit pse, ai duhet ta dijë pse”.

Kaçaniku ka thënë se qeveria nuk mundet t’i konsiderojë qytetarët si “bunar” me mbajt dorën në xhepin e qytetarëve.

“Qeveri e nderuar, bëhu serioze dhe bëje strategjinë e trajtimit të integruar të emergjenteve dhe të shohim më tej se çfarë do të bëjmë. Mirëmbajtja e aseteve të tilla me përparësi të lartë kombëtare, siç është energjia elektrike, nuk mirëmbahet me metoda klasike. Nuk jemi ne xhep bunari pafund, ku Qeveria e ZRRE-ja e kushdo qoftë mundet vazhdimisht të mbajë dorën në xhepin tonë dhe të marrë aq sa ka nevojë. Jemi lodhur si konsumatorë, duke paguar dhe nuk mundemi t’i mbajmë politikanët ose qeveritarët pa invencione”, ka thënë ai.

Kaçaniku ka thënë se qytetarët janë “mbështetur për muri dhe na kanë dhënë të zgjedhim në mes dy opsioneve të liga”. “Ne sinqerisht po japim vota, sinqerisht po japim mundin tonë në formë të taksave, tatimeve po nuk kemi feedback të sinqertë nga qeveria. Ne na kanë mbështetur për muri dhe na kanë dhënë të zgjedhim në mes dy opsioneve të liga. Ne nuk jemi ata që bëjmë zgjedhje mes dy opsioneve të liga, por neve duhet të na japin një opsion të mirë ose një tjetër më pak i keq, të bëjmë zgjidhjen, atë që neve na nevojitet.

Të mos harrojmë se ne si taksapagues dhe pagues të rregullt të energjisë elektrike e kemi ndërtuar, rindërtuar e kapitalizuar gjithë sistemin energjetik, të mos harrojmë se ne nuk jemi fajtorë se kësaj qeverisje dhe atyre para kësaj i ka shpëtuar së realizuari obligimi për trajtimin integral të çështjes së emergjente”.

6.7% ka shënuar rritje inflacioni në vitin 2021 në Kosovë. Ky rezultat është nxjerrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në fund të vitit 2021, kur u bë krahasimi i çmimeve të kësaj periudhe me atë të periudhës tjetër të njëjtë, 2020. Rritje e çmimit në vitin 2021 është vërejtur në produktet bazë.

Përqindje më e lartë është vërejtur në vajin ushqimor me 46.9%, në patate 46.8%, e në karburante 39.1%. Si produkt në vendin e katërt, i cili ka shënuar rritje në çmim, është mielli më 30%, pastaj sheqeri 24.2% dhe buka 20%.

Karburantet në Kosovë, sivjet kanë arritur çmimet më të larta në 20 vitet e fundit, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Ai ka thënë se aktualisht, një litër naftë në Kosovë është duke u tregtuar me çmim nga 1.23 euro deri në 1.3 euro, ndërsa benzina nga 1.25 deri në 1.32 euro.

“Derivatet janë të shtrenjta për qytetarët tanë, por ne s’vendosim, por tregjet ndërkombëtare. Në të gjitha vendet çmimet janë rritur, por ne jemi më të lirët. Mund të them që është çmimi më i lartë në 20 vitet e fundit. Kjo i dëmton shumë qytetarët, sepse shporta e qytetarit rëndohet shumë më shumë.

Për qytetarët tanë është çmim shumë i lartë, por duhet të pajtohemi sepse e përcakton bursa”. Ai ka shtuar se në janar ishte pritur stabilizim i çmimeve, por ka shtuar se tensionet në Veri kanë sjellë edhe më shumë rritje./Monitor

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pas shpërthimeve të mëdha në Ukrainë, reagon ushtria – ja çfarë ndodhi gjatë orëve të para të së shtunës

Story i radhës

Moti sot është me diell dhe i ngrohtë

Të fundit nga

ShkoLartë