Klubet e futbollit që garojnë në Superligën e Kosovës po përballen me krizë financiare. Prishtina, Drenica e së fundmi edhe Gjilani janë në një situatë të vështirë me të ardhurat. Por larg nuk mbesin as skuadrat e tjera. Ndërsa pothuajse i njëjti skenar me financat përsëritet çdo vit edhe me skuadrat e tjera që nuk janë pjesë e kampionatit elitar kosovar e që dikur kanë bërë historinë në futbollin e Kosovës.
Trajnerët dhe analistët vlerësojnë se kjo po ndodh për shkak se klubet po operojnë pa pasur një strategji mirëfilli, derisa thonë se zgjidhja do të ishte rikthimi i vëmendjes tek akademitë e klubeve.
Trajneri dhe analisti, Bylbyl Sokoli, thotë për KP se shpenzimet e pamatura që drejtuesit e klubeve i bëjnë nëpër fazë përgatitore po e dëmtojnë rëndë buxhetin e tyre, derisa thekson se si zgjidhje e sheh hartimin e një rregulloreje e cila i detyron klubet t’i aktivizojnë futbollistët nga akademitë e tyre.
Sokoli: Klubet të obligohen në aktivizimin e lojtarëve të rinj
“Kur është në pyetje planifikimi gjithmonë duhet pasur parasysh që të ‘shtrihen këmbët sa është jorgani’. Jo të merren futbollistë të cilët buxheti i klubit nuk i përballon. Shohim shpesh fazat përgatitore shumë të kushtueshme nëpër vendet bregdetare jashtë vendit të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë, duhet të jenë shumë më modeste ne sajë të mundësive që krijohen. Nevojitet një rregullore nga Federata e Futbollit të Kosovës që aktivizimi i të rinjve të jetë në numër më të madh. Të obligohen klubet që në përbërje të tyre të kenë numër të madh të lojtarëve të rinj të cilët janë më pak të kushtueshëm sepse vetëm lojtarët me përvojë, lojtarët që kanë moshë, ata janë të kushtueshëm”, tha Sokoli.
Kurse trajneri Arsim Plepolli kritikon ashpër klubet për menaxhim aspak racional të buxhetit duke potencuar se pikërisht në këtë pikë është edhe zanafilla e krizës financiare brenda një klubi.
Plepolli: Klubet po bëjnë shpenzime të ma menduara mirë
“Lojtarët tanë në këtë nivel po paguhen shumë mirë, me paga dhe kontrata shumë të mira. Nuk e di sa mund t’ia arrijmë qëllimit dhe ta mbajmë këtë vazhdimësi financiare… Prandaj duhet ta kuptojmë nëse nuk mund të shkojmë tutje, atëherë t’iu japim shans lojtarëve të rinj, t’i aprovojmë, sikur Llapi që me Valmir Velin që e dërgoi ne Turqi me një shumë solide. T’ju japim hapësirë lojtarëve të rinj nëse nuk mund të shkojmë në garat evropiane më lartë, mos të marrim lojtarë të harxhuar nga 35, 36 e 37 vite për të shkuar vetëm dy apo tre xhiro dhe mandej klubi të ketë probleme financiare. Kjo po na ndodhë… Duhet të dish ta menaxhosh klubin, duhet të dish sa është buxheti vjetor, mos të shkojmë përtej buxhetit… Ne jemi Kosovë, Superliga e Kosovës nuk mundet të marrë një lojtar dhe t’ia jap pagën 8 mijë apo 9 mijë euro ose katër apo pesë lojtarë t’i ketë në atë shumë sepse nuk mund ta përballojmë”, tha Plepolli.
Frikë se shumë klube do të përballen me krizë financiare ka edhe analisti Malsor Gjonbalaj. Ai thotë se lojtarët në Kosovë po paguhen me shifra të mëdha dhe nëse vazhdon kjo praktikë futbolli kosovar do të ketë telashe serioze, derisa bën thirrje që sytë të kthehen nga akademitë dhe shkollat e futbollit për t’i dhënë fund kësaj krize.
Gjonbalaj: Lojtarët në Kosovë po marrin paga shumë të larta
“Mendoj që është një problem i cili duhet në një të ardhme të afër të kanalizohet nëpërmjet një normative të caktuar, ndoshta të një standardizimi dhe të një organizimi më të mirëfilltë të klubeve. Po mendoj që pagat e larta kanë qenë një prej arsyeve dhe unë mendoj që nëse vazhdon kështu shumë klube do të kenë të njëjtin fat sepse janë rroga të larta për standardin e jetës të cilin e kemi në Kosovë… Në këtë drejtim mendoj që duhet të punohet shumë në akademitë e futbollit që të kemi sa më shumë futbollistë vendorë në ekipet tona të cilat përfaqësohen jashtë në mënyrë që ata t’i plasojmë në tregun evropian… Një plan i tillë i deritanishëm me investime të mëdha, kryesisht në futbollistë dhe duke lënë anash shkollat e futbollit nuk e dërgon askund futbollin e Kosovës”, theksoi Gjonbalaj.
Sipas Gjonbalajt, nëse klubet do të kthenin investimet tek shkolla e tyre të futbollit, brenda një periudhe të shkurtër do të arrihej një qëndrueshmëri e mirë financiare.
Gjonbalaj: Nëse investohet në akademi, brenda tre-katër viteve do të kishim stabilitet financiar
“Vërtetë disa paga të viteve të fundit janë astronomike për tregun e Kosovës dhe nëse ato të holla do t’i menaxhonin, t’i investonin në shkollat e futbollit, mendoj që për një periudhë tre-katërvjeçare ne do të kishim futbollistë të cilët do të mund t’i plasonim në tregun evropian… Mendoj që duhet të krijojmë një sistem ku, edhe klubet, edhe futbollistët, edhe trajnerët, edhe komuniteti do të mund të gjejnë një hapësirë profesionale sa më të mirë që të zhvillojnë karrierën e tyre dhe në të njëjtën kohë edhe Kosova si shtet të ketë prezantim jashtë sa më të mirë”, theksoi Gjonbalaj.