Kritiku i Kremlinit dhe ish-oligarku Mikhail Khodorkovsky nuk sheh asnjë “ndryshim regjimi” të afërt në Rusi, shkruan Focus online transmeton “Bota sot”. Edhe pse mund të vërehen “erozione në radhët e mesme të aparatit shtetëror”, “por kjo lëvizje, ky erozion nuk do të çojë në një ndryshim regjimi në të ardhmen e afërt”, tha Khodorkovsky për transmetuesit RTL / ntv.
Khodorkovsky shtoi: “Në Rusi mund të ketë një kryengritje vetëm kur ushtria kupton se po humbet ose ka humbur në Ukrainë. Atëherë Putini do të ketë një problem të madh me ushtrinë. Kështu ka qenë gjithmonë në historinë ruse”.
Duke iu referuar dërgesave të armëve në Ukrainë, Khodorkovsky tha: “Ukraina nuk do të jetë në gjendje të rezistojë pa dërgesa të rregullta të armëve.
Putini e di këtë, Ukraina e di këtë dhe shpresoj shumë që vendimmarrësit perëndimorë gjithashtu ta dinë dhe ta kuptojnë këtë.” Khodorkovsky gjithashtu përsëriti: “Putini nuk është kreu i një shteti të rregullt. Putini është një bandit, një kriminel.”