Në një intervistë për Economist, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë pikëpamjen e tij se cilat vende të Evropës Perëndimore po ndihmojnë apo jo, në luftën e vendit të tij kundër Rusisë:
Ai kritikon ashpër presidentin e Francës Emmanuel Macron për dështimin për të ofruar mbështetje ushtarake. Pse?
“Sepse ata kanë frikë nga Rusia. Dhe kaq. Dhe ata që e thonë të parët janë të parët që kanë frikë”, ka thënë ai.
Ai thotë se Boris Johnson i Britanisë së Madhe ka qenë shumë më i prirur për të dërguar armë: “Po. Për të qenë i sinqertë, Johnson është një lider që po ndihmon më shumë. Udhëheqësit e vendeve reagojnë sipas mënyrës se si veprojnë zgjedhësit e tyre. Në këtë rast, Johnson është një shembull”.
“Britania është padyshim në anën tonë. Nuk po kryen një akt balancues. Britania nuk sheh asnjë alternativë për të dalë nga situata”, ka thënë Volodymyr Zelensky
“Britania dëshiron që Ukraina të fitojë dhe Rusia të humbasë, por unë nuk jam gati të them nëse Britania dëshiron që lufta të zvarritet apo jo”, shton ai.
Ndërkohë Gjermania është në mes: “Ata po përpiqen të jenë të ekuilibruar. Ata kanë një marrëdhënie të gjatë me Rusinë dhe po e shohin situatën nga prizmi i ekonomisë. Ata ndihmojnë ndonjëherë. Mendoj se po përpiqen të përshtaten me situatën kur ajo zhvillohet”.
“Ata po shikojnë gjithashtu se si situata ndikon në vendin e tyre. Ata mund të ndihmojnë, nëse ka presion mbi ta brenda vendit për ta bërë këtë, dhe ata mund të ndalojnë kur të shohin se çfarë kanë bërë është e mjaftueshme.”