Presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se krimi dhe vrasjet në SHBA janë në nivelin më të ulët të 125 viteve të fundit, duke ia atribuuar këtë zhvillim politikave të tij për “vendosjen e ligjit dhe rendit”.
BBC analizoi të dhënat të cilat sipas saj tregojnë se niveli i krimeve të dhunshme në SHBA ka rënë ndjeshëm dhe në 2024-tën, arriti nivelin më të ulët prej dekadash.
FBI është burimi kryesor i statistikave të krimit në Shtetet e Bashkuara. Ajo nuk mat krimin në tërësi, por përllogarit numrin e veprave penale të dhunshme të raportuara në polici. Këtyre përfshihen vrasjet, si ato të paramenduara e ato nga pakujdesia, dhuna seksuale, grabitja e sulmi. Në një njoftim të fundit për shtyp, Shtëpia e Bardhë këmbëngulte se rënia e krimit të dhunshëm është “rezultat i drejtpërdrejtë” i politikave të Trump, duke përfshirë “shtimin e burimeve federale në qytetet e drejtuara nga demokratët që ishin shndërruar në zona lufte, largimin e kriminelëve të rrezikshëm nga rrugët, mbështetjen e policisë dhe prokurorëve”.
Megjithatë, disa ekspertë të krimit me të cilët bisedoi BBC, thonë se rënia e krimeve të dhunshme, në fakt, nisi të vihej re që pas pandemisë së Covid 19, çka do të thotë se ky trend ka filluar përpara se Donald Trumpi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë në janar të 2025-sës. Alex Piquero, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Majamit, tha se faktor i rëndësishëm në këtë drejtim mund të kenë qenë politikat e parandalimit të krimit, duke përfshirë këtu shtimin e pranisë policore në zona të njohura si më të dhunshme, dhe vëmendja ndaj individëve të përcaktuar si të tillë. Një tjetër faktor i mundshëm janë ndryshimet shoqërore pas Covid, si dhe fakti që njerëzit po konsumojnë më pak alkool, “çka nënkupton më pak përleshje në klube dhe më pak dhunë në familje.
Edhe vende të tjera kanë parë rënie të ngjashme të krimit. BBC raporton se ekspertët vlerësojnë se rënia e krimit është pjesë e një trendi më të gjatë që ka nisur pas pandemisë, dhe është e vështirë të përcaktohet me siguri se cilët faktorë janë kryesorë për këtë ulje.
Burimi: opinion.al


