Krimet dhe vrasjet me motive politike i dëmtuan rëndë idealet, patriotizmin dhe luftën tonë çlirimtare

January 26, 2022
min lexim

Vrasjet dhe aktet e krimit që bëhen ndaj qenieve njerëzore, duke ia marrë jetën njeriut, qëkur është kurdisur kjo botë, janë vlerësuar si veprat më të rënda kundër njerëzimit, të ndaluara së pari me librat hyjnore, pastaj edhe me aktet ligjore. Në librin e shenjtë, Bibël, vrasja është e ndaluar me urdhrin; “Ti nuk duhet të vrasësh” (Exodus 20:13), ku dënimi për vrasje të qëllimshme bëhet me vdekje të autorit (Exodus: 21:12,14.. Leviticus: 24:17-18, Deuteronomia: 19:11-21). Sipas njohësit të famshëm të Biblës, Maimonides, cilido që vret qëllimisht, shkelë njërën nga “Dhjetë Urdhëresat”, (Exodus 20:13, 21:20), dhe ai duhet të dënohet me vdekje, sepse jeta e njeriut përbën vlerë superiore ndaj gjithë qenieve tjera mbi tokë.

Ndërsa në Kur’anin famëlartë, jeta e një njeriu është e barabartë me jetën e gjithë njerëzve, prandaj vrasja e një njeriu të pafajshëm konsiderohet e njëjtë me vrasjen e gjithë njerëzimit, dhe po kështu, shpëtimi i jetës së një njeriu konsiderohet i njëjtë me shpëtimin e jetës së gjithë njerëzimit (5:32): ”Kush mbyt një njeri (pa të drejtë)…, atëherë (krimi i tij) është sikur ta kishte mbytur gjithë njerëzimin. E, kush ngjall (shpëton një jetë) është sikur t’i kishte ngjallur (shpëtuar) gjithë njerëzimin..”(Maide: 32 ).

Po ashtu, vrasja e njeriut dhe krimet kundër njerëzimit janë gjykuar dhe dënuar rënd edhe në Perandorinë romake sipas të drejtës romake, në Mesjetë sipas kodove kishtare, por edhe tek ne shqiptarët vrasjet janë dënuar sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe kështu deri në ditët e sotme me ligje dhe kode kushtetuese.

Pra, vrasja si akt kriminal sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr. 04/L-082, Nenit 179, pikave në dispozitiv, dënohet jo më pak se 10 vite burgim, ose me burgim të përjetshëm, meqenëse ajo paraqet veprim dhe krim të ndaluar me të gjitha ligjet e botës, andaj edhe aktorët e tyre dënohen kudo në botë. Dhe, nuk ka normë njerëzore, humane, morale, ligjore, zakonore, etj., e cila i amniston ose e falë krimin e bërë kundër njeriut. Përjashtimet janë raste shumë të rralla në botë dhe atë për ndonjë arsye ose tjetër, por që një amnisti e tillë kurrë nuk e liron dot dorasin nga mëkati dhe përgjegjësia para Krijuesit të tij, sado që njerëzit dhe gjykatat mund t’ia falin krimin!

Prandaj, nisur nga parimet dhe normat e lartcekura morale, fetare dhe ligjore, sidomos për shkak të peshës së rënd që kanë krimet dhe vrasjet e njeriut, si qenia më fisnike dhe më e përsosur në këtë botë, duke respektuar të drejtën e tij të pacenueshme të lirisë për jetë, e dhuruar nga Krijuesi i gjithësisë, dukuria e vrasjeve në Kosovë, sidomos atyre me motive politike, përveç se nuk ka guxuar të ndodhin tek ne shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas luftës çlirimtare, por pasi që ato veç kanë ndodhur si rezultat i një mendësie puro majtiste staliniste-enveriste dhe primitive, ato është dashur të zbulohen dhe aktorët e tyre të dënohen pranë gjykatave të Republikës së Kosovës, e jo t’iu lihen në kompetencë gjykatave të UNMIK-ut dhe së fundmi Dhomave speciale të Gjykatës së Hagës, e që në themel do kishin qenë një proces demokratik, shtet-ndërtues të rendit dhe ligjit kushtetues si dhe sistemit ligjor të së drejtës në Kosovë, konform normave të së drejtës ndërkombëtare.

Por, përderisa në Kosovë ende nuk ka ndodhur procesi i zbulimit dhe dënimit të krimeve dhe aktorëve të vrasjeve politike pas çlirimit, pra ende nuk ka ndodhur procesi i dekriminalizimit, të cilit kurrsesi nuk është dashur që t’i shmanget Kosova si shteti më i ri në Evropë, ashtu siç ka ndodhur në Gjermani me distancimin kolektiv nga krimet e Hitlerit gjatë LDB-re, si dhe me procesin e de-nazizmit siç ka qenë Gjykata e Nyrnbergut, Auschwicit, etj., ka qenë pa dyshim, gabimi më i rënd që i ka ndodhur procesit të shtet-ndërtimit të Kosovës në 20 vitet e pasluftës, sepse nuk ka popull në botë, në Evropë jo se jo, i cili ia ka dalë që t’i fsheh krimet e veta, ose, që t’i amnistojë kriminelët nga radhët e tij, pa marrë parasysh çmimin e dhënë për liri dhe pavarësi..!?

Krimet kurrë nuk harrohen, as nuk vjetrohen dhe as nuk amnistohen, sado që disa “trima” të luftës besonin se krimi brenda llojit një-etnik nuk e dëmton lirinë dhe luftën çlirimtare!

Ky ishte një Nonsens i llojit më “sui-generis” që i ka ndodhur një populli dhe një shteti..!?

Si përfundim, dhe jo përfundimisht, derisa shqiptarët si komb, popull, shoqëri dhe si shtet, të mos distancohen nga krimet dhe bartësit e tyre, pa marrë parasysh ndonjë të mirë që ia kanë bërë atdheut, dhe përderisa të mos i dënojnë me ligj kriminelët e çdo lloji, t’i zbulojnë vrasësit që kanë vrarë figura të shquara kombëtare për motive politike, si dhe derisa të mos e aprovojnë ligjin për lustracion që t’i zbardhin dosjet e krimeve të komunizmit, etj., është absurditet i llojit të vetë, të presim liberalizim të vizave, ose fillimin e procesit për Stabilizim-Asocim për t’i nisur bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në BE, etj.

Kushdo që mendon ndryshe nga kjo agjendë evropiane, nuk ia donë të mirën popullit shqiptar, por as Kosovës si atdhe i tyre i vetëm..!?

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Grubi: Periudha e izolimit nga 10 ulet në 7 ditë, mësimi nis me 1 Shkurt

Story i radhës

Erdogan fton Putinin për vizitë në Turqi, ja çka i ka thënë atij për konfliktin në Ukrainë

Të fundit nga

ShkoLartë