Kremlini tha sot se po pezullon marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, raporton Anadolu.
“Marrëveshjet e Detit të Zi pushuan së qeni valide që nga sot. Siç tha më herët presidenti i Federatës Ruse (Vladimir Putin), afati është 17 korriku. Fatkeqësisht, pjesa që ka të bëjë me Rusinë në këtë marrëveshje të Detit të Zi nuk është zbatuar deri më tani. Prandaj, vlefshmëria e tij përfundon”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë për media.
Peskov tha më tej se Rusia do t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes së drithërave sapo të përmbushet pjesa ruse e marrëveshjes.
Paralelisht, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA se Moska ka njoftuar zyrtarisht Türkiyen, Ukrainën dhe sekretariatin e OKB-së për kundërshtimin e saj ndaj zgjatjes së afatit të marrëveshjes.
Një vit më parë, Türkiye, OKB-ha, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat ishin ndërprerë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të atij viti.
Një qendër e përbashkët koordinimi u krijua në Istanbul me zyrtarë nga tri vendet dhe OKB-ja për të mbikëqyrur dërgesat.
Marrëveshja është rinovuar disa herë që atëherë dhe u zgjat edhe për dy muaj të tjerë më 18 maj.