Kremlini është kundërpërgjigjur pasi aktori francez Gerard Depardieu akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për “eksese të çmendura dhe të papranueshme” në Ukrainë. Depardieu tha se populli rus nuk ishte përgjegjës për sjelljen e presidentit të tyre, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se aktori ndoshta nuk e kuptonte plotësisht situatën në Ukrainë dhe ofroi ta shpjegonte atë. Depardieu u largua nga Franca për arsye tatimore dhe mori nënshtetësinë ruse në vitin 2013.
Ai e mori pasaportën ruse nga presidenti Putin personalisht në vendpushimin e Detit të Zi, Soçi. Në atë kohë, aktori dhe presidenti shtrënguan duart dhe u përqafuan me njëri-tjetrin, me Depardieu që e përshkruan Rusinë si “një demokraci të madhe”.
Në vitin 2015, Ukraina e ndaloi hyrjen në vend për pesë vjet pasi ai mbështeti aneksimin e Krimesë nga Rusia. Pavarësisht kësaj, aktori denoncoi luftën në Ukrainë menjëherë pasi filloi në shkurt dhe bëri thirrje për negociata.
Kritikat e Depardieu ndaj liderit rus iu drejtuan agjencisë franceze të lajmeve AFP të enjten. “Populli rus nuk është përgjegjës për ekseset e çmendura dhe të papranueshme të liderëve të tyre si Vladimir Putin,” tha ai.
Depardieu ka thënë gjithashtu se do t’i dhurojë të gjitha të ardhurat nga tre netët e koncerteve në Paris, duke filluar nga e premtja mbrëma, për “viktimat ukrainase të kësaj lufte tragjike vëllavrasëse”.