Pjesë të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore janë nën kontrollin rus. Banorët përdorin rubla dhe të sapolindurit marrin automatikisht një pasaportë ruse. Por kjo nuk mjaftoi për Moskën, e cila për të forcuar kontrollin e saj kapi edhe internetin ukrainas.
Të gjitha të dhënat telefonike dhe të internetit u ridrejtuan përmes rrjeteve ruse duke përdorur kabllo nëndetëse dhe infrastrukturë tjetër të ndërtuar nga Rusia pas aneksimit të Krimesë në 2014. Moska bllokoi hyrjen e banorëve të saj në mediat sociale (Facebook, Twitter, Instagram), në faqet e lajmeve ukrainase dhe të tjera burime të informacionit të pavarur, shkruan The New York Times.
Ajo gjithashtu mbylli ofruesit e telefonisë celulare ukrainase, duke i detyruar ukrainasit të përdorin rrjetet telefonike ruse. Siç thekson Stas Pribidko, kreu i departamentit të brezit të gjerë celular të Ministrisë së Transformimit Dixhital të Ukrainës, “gjëja e parë që bën pushtuesi kur hyn në territorin ukrainas është ndërprerja e funksionimit të rrjeteve digjitale”.
Pikërisht këto metoda shkëputën Kherson, Mariupol dhe Melitopol nga pjesa tjetër e Ukrainës, duke kufizuar informacionin e banorëve dhe duke përjashtuar komunikimin me të afërmit dhe të dashurit.
Bllokada digjitale, për më tepër, i ka privuar banorët nga një nga armët më të fuqishme të rezistencës ukrainase: përdorimin e mediave sociale për të informuar dhe rritur ndërgjegjësimin e komunitetit global, veçanërisht në lidhje me mizoritë ruse kundër civilëve.
Kufizimi i aksesit në internet i ka lejuar Moskës të monitorojë vizitat në uebsajt dhe komunikimet digjitale, duke e bërë më të lehtë përhapjen e propagandës dhe kontrollin e lajmeve që arrijnë tek banorët.
Ndërsa ka mënyra për këdo që dëshiron të kapërcejë pengesat duke përdorur rrjete private digjitale, masat e vendosura nga Moska kanë krijuar një sistem të ri censurimi dhe survejimi në pjesë të mëdha të Ukrainës së pushtuar nga Rusia, madje edhe më i rreptë se ai brenda Rusisë. Në Kherson, për shembull, çdo qytetar që dëshiron të blejë një kartë SIM për një numër celular rus duhet të tregojë pasaportën e tij, duke e bërë të lehtë për ushtrinë ruse të dijë se kush janë dhe saktësisht se çfarë do të bëjnë me mjetin dixhital.