Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që procesi i vettingut të bëhet nga kuvendi, e jo nga qeveria. Një gjë e tillë është thënë edhe në takimin që pati kreu i kësaj partie me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Pas takimit, Krasniqi ka thënë se ishte i ftuar nga kryeministri Albin Kurti në kuvend për të diskutuar për vettingun.
“Takimi nuk ishte fare konfidencial, ishte takim zyrtar dhe në sallën më të famshme pas asaj plenare. Nuk mund të them që arritëm dakordësi, ishte takim që shprehem qëndrimet tona të dy palët. Do të duhej të reflektonte qeveria karashi propozimeve të PDK-së, të cilat mundësojnë rritjen e një konsensusi politik që i hap rrugë procesit të vettingut”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se procesi i vettingut është i nevojshëm, por që bazamenti nuk duhet të jetë në qeveri por në kuvend.
Krasniqi: Zhvillimi i procesit të vettingut të bëhet nga ana e Kuvendit të Kosovës
“PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme është që zhvillimi i këtij procesi të vettingut të bëhet nga ana e Kuvendit të Kosovës në përgjegjësinë kushtetuese, të cilit në instancë e fundit mbetet edhe aprovimi ose jo i amandamenteve kushtetuese të nevojshme. Ne besojmë se për të zbatuar një proces të tillë është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës”, ka deklaruar ai.
Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka shtuar se ka vjet që kanë diskutuar në lidhje me këtë proces, i cili sipas tij, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me rekomandimet ë Komisionit të Venecias.