169 vëzhgues janë akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në dhjetor.
Në kuadër të mbledhjes së mbajtur të martën, u akredituan 45 vëzhgues nga organizata joqeveritare “Qendra Kulturore Orfeu”, si dhe 114 vëzhgues nga media vendore dhe ndërkombëtare.
Nga mediat vendore u akredituan: Kontakt Kosovska Mitrovica/Kontakt Plus (3), Alternativna (3), Televizija Graçanica (10) dhe Klan Kosova (95). Ndërkaq, nga mediat ndërkombëtare u akredituan: Prva srpska televizija (2), agjencia Tanjug (3), Radio-televizija e Serbisë – RTS (6) dhe ABC News Albania (2).
KQZ bëri të ditur se në mbledhjet e kaluara janë akredituar edhe 19 mijë e 85 vëzhgues të tjerë nga subjekte të ndryshme, përfshirë subjekte politike, organizata vendore e ndërkombëtare, institucione shtetërore, përfaqësi diplomatike dhe media.
Sipas KQZ-së, numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani ka arritur në 19 mijë e 254, prej të cilëve: 17,614 nga subjektet politike, 809 nga OJQ-të vendore, 121 nga organizata ndërkombëtare, 66 nga institucionet shtetërore, 13 nga përfaqësitë diplomatike, 554 nga mediat vendore dhe 77 nga mediat ndërkombëtare.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mos akreditimin e dy organizatave vëzhguese: OJQ-së “Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit” dhe organizatës ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju – OKO”.
Sipas sqarimeve të ZRCKFSP-së, statuti i OJQ-së vendore nuk lidhet drejtpërdrejt me monitorimin e proceseve zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërkaq, për organizatën ndërkombëtare u tha se dokumentacioni i paraqitur është i paplotë dhe nuk dëshmon qartë institucionin lëshues, duke ngritur dyshime për vërtetësinë e tij.
Burimi: botasot.info


