Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka bërë të ditur se është aktivizuar garancia për projektin e rregullimit të shtratit të lumit Serava dhe tashmë kanë nisur punimet për sanimin e të gjitha dëmtimeve të evidentuara.
Sipas Kostovskit, urdhri për punë është lëshuar, ndërsa ekipet që nga dita e djeshme po punojnë në terren për të eliminuar të gjitha mangësitë. Ai theksoi se nuk do të lejojë punime me cilësi të dobët dhe se në përputhje me kontratën, të gjitha dëmet do të riparohen në kuadër të garancisë.
Kryetari Kostovski rikujtoi se projekti i rregullimit të shtratit të lumit Serava ishte premtuar për më shumë se 40 vjet, ndërsa tashmë është realizuar plotësisht. Në kuadër të tij janë ndërtuar 1.800 metra shtrat i lumit, një shteg rekreativ dhe janë vendosur rekuizite të reja urbane.
Po ashtu, është ndërtuar edhe një park me sipërfaqe prej 5.000 metrash katrorë, duke e gjelbëruar dhe transformuar të gjithë hapësirën.
“Bashkë po e ndryshojmë pamjen e Komunës së Butelit dhe po krijojmë kushte më të mira për sport dhe rekreacion përgjatë këtij bregu”, ka theksuar Kostovski.


