Komuna e Butelit ka ndarë sot 4 milionë denarë për mbështetjen financiare të klubeve sportive që veprojnë në territorin e komunës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili tha se komuna vazhdon të zbatojë politika në mbështetje të sportit dhe investimeve në zhvillimin e të gjitha disiplinave sportive.
Sipas Kostovskit, Buteli synon të jetë një nga komunat me mbështetjen më të madhe për sportin, ndërsa fondet e ndara synojnë t’u krijojnë kushte më të mira klubeve dhe sportistëve për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Kryetari i Butelit ka shprehur pritshmëri që kjo mbështetje financiare të ndikojë në avancimin e sportit dhe të kontribuojë që sportistët nga komuna të arrijnë rezultate në garat evropiane dhe olimpike.
Kostovski theksoi se mbetet partner i sportistëve dhe klubeve sportive, duke paralajmëruar se Komuna e Butelit do të vazhdojë me mbështetjen financiare për sportin.


