Pyetjes së drejtpërdrejtë se kush ishte ministër më i mirë,Artan Grubi apo Ivan Stoilkoviq, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, nuk iu përgjigj me një emër. Në vend të një krahasimi mes paraardhësve të tij, Ferati zgjodhi t’i kritikojë të dy, duke thënë se njëri “nuk e bëri punën aspak”, ndërsa tjetri u mor me “simbolika dhe provokime”.
I pyetur në emisionin “Rishtazi” në Kohacast për të bërë një vlerësim mes ministrit shqiptar, Artan Grubi, dhe ministrit serb, Ivan Stoilkoviq, Ferati tha se e kishte të vështirë të përcaktonte se kush ishte më i mirë. “Vështirë ta them, për shkak se njëri nuk e bëri punën aspak, ndërsa tjetri merrej me simbolika dhe me provokime. Kjo ma ka vështirësuar shumë punën në ministri, për shkak se tani unë nuk mund të filloj nga pika zero dhe të nxjerr rezultate. Tani duhet të filloj nga minusi, të bind shumë palë se nuk do ta bëj të njëjtën dhe pastaj të më besojnë që mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme edhe për mua”, tha Ferati.
Në këtë mënyrë, ministri nuk bëri një ndarje të qartë mes dy paraardhësve, por vendosi t’i vërë në të njëjtën peshore, duke i atribuar secilit dështime të ndryshme në drejtimin e ministrisë.
Ferati kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, ishte strukturuar administrata e ministrisë, duke thënë se gjatë shqyrtimit të vendeve të punës ka hasur në struktura që kanë mbetur të pandryshuara për vite. “Edhe strukturimin e brendshëm, sa kam pasur mundësi të shoh te vendet e punës, kam parë që janë shabllone që kanë qenë shumë vite dhe nuk kanë reaguar me kohë të modernizojnë strukturën e brendshme dhe të jenë pjesë e këtyre vendeve evropiane, të cilat janë shumë me rëndësi”, shtoi ministri.
Burimi: koha.mk


