“Sot ndaluam një tjetër ndërtim pa leje në Burinarc!” Kështu ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski.
Inspektorati ndërtimor i Komunës së Butelit ka ndërhyrë gjatë ditës së sotme duke ndalur ndërtimin e një objekti të nisur në mënyrë të paligjshme në lagjen Burinarc. Sipas autoriteteve komunale, është përpiluar vendim me të cilin pronarëve u jepet afat prej 7 ditësh për të larguar objektin pa leje.
Nga komuna paralajmërojnë se në rast se vendimi nuk respektohet brenda afatit të paraparë, objekti do të rrënohet nga ana e autoriteteve komunale, ndërsa ndaj pronarëve do të ngrihet kallëzim penal përkatës.
Kryetari Kostovski u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos nisin ndërtime pa leje, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e ligjit dhe se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.


