Kosovë, nis punimet Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

October 22, 2022
min lexim

Sekretari i amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të shtunën se kur sheh pamjet nga lufta brutale e Vladimir Putinit në Ukrainë, e ka të pamundur të mos mendojë për shkatërrimin që ndodhi në Kosovë rreth dy dekada më parë.

Komentet e tij ishin pjesë e një videomesazhi në hapjen e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe i kushtohet ish Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila njihej si zë i fuqishëm për liri dhe demokraci, ndërsa roli i saj në çlirimin e Kosovës vlerësohet i jashtëzakonshëm.

“Ndërsa përballemi me këtë sfidë, mendoj shpesh se çfarë do të bënte paraardhësja ime (Madeleine Albright). Një fakt shumë i mirë është që ish sekretarja Albright na ka lënë me udhëzime të qarta, ajo në vazhdimësi na ka rikujtuar rëndësinë e luftimit të dhunuesve dhe ngacmuesve, parandalimit të çdo shteti që të përdor forcën për të ndryshuar kufijtë dhe mbrojtjen e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar. Në vizitën e saj të fundit në Prishtinë, në vitin 2019, ajo tha “lufta në Kosovë ishte një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet jotolerancës së vazhdueshme dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërmjet tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam meqë aleanca jonë ishte e fortë dhe e bashkuar por mbi të gjitha patëm sukses sepse qëllimi ynë ishte i drejtë dhe për shkak të njerëzve të Kosovës. E tëra kjo është e vërtetë edhe sot dhe për sa kohë ta kujtojmë dhe të mbështetemi në të, jam i bindur se do të fitojmë sërish”, tha sekretari Blinken.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është thelbësore që të mbahet në jetë trashëgimia e zonjës Albright, në një kohë kur të drejtat e grave po mohohen në vende ku ka luftë e gjithashtu në ato ku ka paqe.

“Kemi bërë rrugë të gjatë në luftën tonë, por siç po e shohim në Ukrainë, Iran, Kubë apo Afganistan, e drejta e grave për t’iu dëgjuar zëri jo vetëm në çështje të paqes e sigurisë, por edhe në çështje të jetës së përditshme po luftohet brutalisht. Realiteti sfidues është se të drejtat e grave jo vetëm që po diskriminohen e lihen anash nga regjimet autokratike anembanë botës, por këto të drejta po sfidohen edhe në demokraci. Nga ngritja e rasteve të dhunës ndaj gruas përreth botës, regresi në të drejtat reproduktive, e deri te mbytja e grave me gurë vetëm pse kërkojnë respekt për të drejtat themelore njerëzore, mund të shohim se realiteti është i errët dhe nuk mund të fshihemi prej tij”, tha zonja Osmani.

Presidentja Osmani tha se zonja Albright ishte paraparë të ishte folësja kryesore në këtë forum, gjë që u pamundësua për shkak se ajo ndërroi jetë në muajin mars të këtij viti.

“Madeleine Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend, për kontributin e saj për sigurinë, paqen dhe lirinë tonë. Por për ata që kishin mundësinë të përcjellin punën e saj, ta takojnë apo ta njohin atë, ajo mbetet shumë më shumë se sa një figurë e rëndësishme e historisë. Madeleine Albright ishte frymëzim e shpresë, ajo ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë”, tha zonja Osmani.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha nëpërmjet një video mesazhi se bashkimi i të gjithëve në nisma të tilla si ky forum është çështje urgjente në një kohë kur gratë, paqja dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës.

“Ne deri tash kemi arritur përparim, por bota është duke ndryshuar, konfliktet e armatosura vazhdojnë, shumë rajone të botës janë të pasigurta, dekada të tëra arritjesh në barazi gjinore kanë shënuar kthim prapa. Me sulmet e përshkallëzuara të Rusisë në Ukrainë, demokracia është në pikëpyetje dhe të drejtat e grave janë të rrezikuara gjithashtu, asgjë nuk mund të merret si e garantuar”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka garanci më të madhe për paqen dhe sigurinë sesa kur ajo realizohet nga gratë dhe burrat së bashku.

“Por nuk ka as alternativë tjetër, është garancia më e drejtë, më e sigurt dhe më e fuqishme e mundshme. Më shumë gra në forcat e armatosua, më shumë gra në zbatim të ligjit nënkupton promovim dhe realizim më të mirë të të drejtave të njeriut. Interesimi në rritje i grave për këto fusha të sigurisë është tregues shumë i mirë i një të ardhme të ndritur”, tha kryeministri Kurti.

Pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës theksuan rolin e pazëvendësueshëm të grave në procesin e ndërtimit të paqes së qëndrueshme, ndërsa dënuan agresionin e paprovokuar rus në Ukrainë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndau medalje presidenciale për të gjitha gratë dhe vajzat e Ukrainës.

“Në emër të popullit të Kosovës, e posaçërisht në emër të grave të Kosovës, mijëra prej të cilave janë të mbijetuara të përdhunimeve gjatë luftës, dëshiroj t’ju jap medaljen presidenciale për trimërinë e sakrificën e jashtëzakonshme që gratë e Ukrainës po e bëjnë në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë”, tha presidentja Osmani.

“Që nga dita e parë e pushtimit rus 30 mijë ushtare gra kanë luftuar krah për krah me burrat. Ato nuk japin asnjë shenjë lodhjeje, ato e sakrifikojnë jetën e tyre për një Ukrainë të lirë, të pavarur dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, Rusia mban mijëra gra ukrainase peng, madje edhe ato që janë shtatzëna. Jam e sigurt se medalja presidenciale për të gjitha gratë e Ukrainës do të inkurajojë nënat ukrainase, gratë, ushtaret, infermieret, gazetaret e të gjitha të tjerat për arritje të mëtutjeshme”, tha Emine Dzhaparova, zëvendës ministre e Jashtme e Ukrainës.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një nismë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvillon punimet të shtunën dhe të dielën. Forumi, i pari i llojit të tillë në historinë e Kosovës, ka mbledhur në Prishtinë mbi 400 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të diskutojnë dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje për çështjet që ndërlidhen me gratë, paqen dhe sigurinë./voa

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Fernandes: Kontakte të tilla ndodhin në çdo ndeshje të Premier Ligës

Story i radhës

Pse nuk duhet të pini kafe para se të hani mëngjes

Të fundit nga

ShkoLartë