Kosovë, kryeministri Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zv/kryeministrin Besnik Bislimi pritën në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar në lidhje me situatën në vend, transmeton Anadolu.

Siç theksohet në kumtesën e dërguar nga Qeveria e Kosovës, “liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etni​ke apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve”.

Gjithashtu, në kumtesë thuhet se institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë.

“Kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa. Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim”, thuhet në kumtesë.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se objektet e komunës janë pronë e Republikës së Kosovës.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?

Policia e Kosovës gjatë ditës njoftoi se ka “asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.

Policia bëri të ditur se në incidentet me banorët lokalë janë lënduar pesë zyrtarë policorë, të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore, si dhe janë shkaktuar edhe dëme materiale ndaj katër automjeteve zyrtare.

Situata në Zveçan tani është e qetë, ndërsa pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë ende në objekt dhe para ndërtesës së komunës. Në ndërtesën e komunës ndodhet edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot me ndihmën e policisë ka hyrë në ndërtesën e komunës

Gjithashtu me ndihmën e policisë, në ndërtesat komunale kanë hyrë edhe kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Në këto tri komuna, autoritetet lokale të Kosovës ndajnë të njëjtat ndërtesa me Autoritetet e Përkohshme të Republikës së Serbisë për ato komuna.





Story i mëparshëm

Kërcënimi i kryetarit të komunës së Haraçinës/Prokuroria Publike ngre procedurë penale ndaj një 69-vjeçari nga Haraçina

Story i radhës

Ledri Vula banori i parë i Big brother Vip 3? Këngëtari ‘shuan’ zërat dhe zbulon si qëndron e vërteta

Të fundit nga