Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) organizoi tryezë me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë, shoqatat e të pagjeturve si dhe ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Anadolu.
Në takim u diskutua lidhur me situatën politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë.
Në këtë tryezë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se kur fyhet sakrifica e kujtdo për lirinë e vendit është diçka legjitime “të ndihesh i fyer”.
Ai tha se lufta e fundit në Kosovë është e shenjtë, themel i lirisë së popullit dhe shumë e dhimbshme ngase mori shumë jetë njerëzish. Sipas tij, institucionet vendore po bëjnë gabime të rrezikshme për kategoritë e dala nga lufta.
“Mendoj se politika e Kosovës, e përfaqësuar nga Qeveria Kurti i ka ngulë thikë pas shpine dy vlerave tona më sublime që kemi. Po filloj me të parën, me thikën pas shpine besimit të krijuar që nga koha e luftës për liri mes shqiptarëve dhe NATO-s të prira nga Amerika. Një besim që ka lindur në sakrificë, në flijime, në kohë të dhimbjes që nuk ka qenë i lehtë të fitohet dhe as të mbahet”, theksoi Haradinaj duke shtuar se vlera e dytë që është lënë pas dore nga qeveria janë kategoritë e lirisë.
Xhavit Jashari që përfaqëson familjet e dëshmorëve të UÇK-së, tha se Qeveria po vepron sikur e ka harruar rrugën e sakrificës se si Kosova ka ardhur deri në liri dhe pavarësi.
“Pa i çmuar, pa i respektuar dhe pa ua dhënë vendin meritorë atyre që kanë bërë, kanë dhënë madje edhe jetë, siç janë dëshmorët, besoj që ky vend nuk mund të ecë përpara”, theksoi Jashari.
Bajram Qerkini nga Shoqata “Zëri i Prindërve” ka thënë se asgjë që ka premtuar Qeveria nuk është realizuar.
Ai tha se duhet të bëhen bashkë me popullin që ta pengojnë punën e Kuvendit të Kosovës, pas përjashtimit nga Ligji i Pagave të veteranëve të luftës.
“E vërteta është se duhet të bëhemi gjithë bashkë dhe ta pengojmë problemin i cili na u është shfaqur, në mënyrë që të mos kemi ne armik të lirisë”, theksoi Qerkini.
Më 15 korrik veteranët e UÇK-së protestuan në mënyrë të qetë, mbështetur edhe nga parti opozitare. Ata protestuan disa ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale në të cilin nuk u përfshinë. Ligji pritet të dekretohet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Një veteran i luftës në Kosovë paguhet aktualisht 170 euro.