Kosova e ka filluar me humbje aventurën në Kampionatin Evropian 2024 në hendboll (meshkujt).
Mali i Zi ka shënuar fitore me rezultat 29:20 (15:9) ndaj Kosovës, në takimin që u zhvillua në “Bemax Arena” në Podgoricë, ku ishin të pranishëm mbi 1500 shikues.
Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, 1:0, 1:1, pastaj Kosova kaloi në epërsi me 1:2 në minutën e 4-të.
Rezultati barazohet 2:2, 2:3, 3:3,. 4:3 dhe malazezët shkëputen në epërsi në shtatë gola (10:3).
Dardanët këndellen dhe gradualisht e ngushtojnë rezultatin në 12:9, por sërish vendas përfitojnë nga disa gabime dhe shkojnë në pushim me 6 gola (15:9).
Në pjesën e dytë, Mali i Zi luante me kujdes dhe thelloi epërsinë në 11 gola (24:13) në minutën e 48-të.
Gjithçka ishte e qartë në minutën e 48-të sa i përket fituesit të kësaj sfide.
Mali i Zi ka shënuar fitore me rezultat 29:20 ndaj Dardanëve, në hapje të garave kualifikuese, ku në grupin 7 janë edhe Sllovenia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Millosh Vujoviq me 8 gola është më efikasi të malazezët dhe vëllezërit Drilon e Drenit Tahirukaj më efikasit të Dardanët, duke shënuar 5 përkatësisht 4 gola dhe Leonard Gegaj me 4 gola.
Të dielën Kosova e pret Slloveninë (19.30).
Mali i Zi – Kosova 29:20
“Bemax – Arena” në Podgoricë.
Shikues: 1500.
Mali i Zi: N. Simiq, M. Vujoviq 8 , B. Vujoviq 4, Sevaljeviq 2, S. Vujoviq 4, Anxheliq 1, Gërboviq 2, Bakiq 3, Lazoviq, Çepiç 3, Radoviq, Kallugjeroviq, B. Simiq, Lasica 1, Vujaçiq 1 dhe Matoviq.
Kosova: Berisha, Gërbeshi, Dri. Tahirukaj 5, Dre. Tahirukaj 4, Quni 2, Gegaj 4, Jupa 2, Gjuka 1, Mushkolaj, Mustafa, Shabani, Muqolli, Ramadani, Basholli, Taci dhe Zena.