Tentativa e spastrimit etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë në vitet 1998-1999, i detyruan shqiptarët, të organizuar në fillim në një rezistencë paqësore dhe më vonë rreth UÇK-së, të luftonin për mbrojtjen e vatrave dhe vendit të tyre. Ndërhyrja e NATO-s për të shmangur një katastrofë humanitare në zemër të Europës, i dha fund luftës dhe vendosi paqen në Kosovë. Serbia u detyruar të nënshkruajë armëpushimin dhe administrimi i Kosovës i kaloi OKB-së dhe më saktësisht UNMIK-ut në bazë të rezolutës 1244. Më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Pavarësinë dhe shteti i ri kosovar u njoh menjëherë nga demokracitë më të mëdha të botës, SHBA, shumica e vendeve të Bashkimit Europian, Shqipëria, vendet fqinje përveç Serbisë, vendet e rajonit etj. Por pavarësia e Kosovës nuk u njoh nga Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina, si dhe nga vende përgjithësisht jo-demokratike. Nuk u njoh as nga disa vende europiane për arsye të brendshme të tyre.
Serbia, pa as më të voglën pendesë për krimet e kryera ndaj Kosovës dhe e vendosur për të mos i lejuar Kosovarët të jetojnë në liri dhe për ta kthyer nën sundimin e saj, nëpërmjet OKB-së, e shtroi menjëherë çështjen e ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në vitin 2010 kjo Gjykatë u shpreh se Pavarësia e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, që do të thotë se ishte në përputhje me të.
Por as vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ia ktheu mendjen Serbisë e cila jo vetëm që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, por është përpjekur me të gjitha mjetet për ta zhbërë atë. Sikur Kosova të mos ishte nën mbrojtjen ushtarake të vendeve të NATO-s nëpërmjet forcës së KFOR-it, Serbia sigurisht do të kishte tentuar ta sulmonte me ushtri.
Pas përgjigjes pozitive të GJND për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet rezolutës A/RES/64/298 të Këshillit të saj të PErgjithshëm, OKB i besoi Bashkimit Europian ndërmjetësimin për hapjen e bisedimeve për normalizmin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Eshtë e qartë në rezolutën e OKB se statusi nuk ishte objekt i këtyre bisedimeve, sepse GJND tashmë ishte shprehur për këtë çështje.
Por Serbia që në fillim i ka shfrytëzuar këto bisedime për të minuar pavarësinë e Kosovës dhe ka deklaruar vazhdimisht se nuk e njeh dhe nuk do ta njoh Pavarësinë e Kosovës. Me dhjetra marrëveshje teknike janë nënshkruar deri më sot, shumicën e të cilave Serbia nuk i ka zbatuar. Vazhdimisht Serbia është përpjekur që ta sjellë në diskutim statusin e Kosovës. Në pamundësi për ta bërë këtë ajo ka këmbëngulur në krijimin e të ashtuquajturit « Asociacion i Komunave Serbe » në Kosovë (AKS) me të drejta ekzekutive qëllimi i të cilit është në realitet sabotimi i Pavarësisë së Kosovës. Ky asociacion do t’i jepte një mjet legal Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë dhe për ta destabilizuar atë.
Fatkeqsisht ka filluar të përhapet tek një pjesë e opinionit shqiptar ideja se fundi i fundit ky asociacion mund të lejohet. Kjo për shkak të vëshirësive që kanë qeveritë e Prishtinës për të vendosur autoritetin shtetëror në komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës.
Por kjo ide është e gabuar, sepse në radhë të parë nuk ka bazë historike. Veriu i Kosovës është pjesë Shqipërisë Etnike, e cila shkonte deri në Senicë e Prepolje nga ana e veriut duke përfshirë Pazarin e ri, Tutinin, Rozhajën, Beranën, Plavën, Gucinë etj. Kurse në veri-lindje Shqipëria Etnike përfshinte Preshevën, Bujanocin, Vranjën, Medvegjën, Kurshumlinë, Bllacën, Prokupljen, Leskovcin etj. duke shkuar deri afër Nishit.
Pra Veriu i Kosovës historikisht nuk janë toka serbe, por janë toka shqiptare, pjesë të Shqipërisë Etnike. Procesi i gjatë i kolonizimit nga Serbia ka sjellë situatën aktuale, ku disa komuna kanë shumicë serbe. Natyrisht që serbët e lindur në Kosovë, kanë të drejtën të banojnë në tokën ku kanë lindur me të gjitha të drejtat të barabarta me qytetarët e tjerë të Kosovës, por ata duhet të respektojnë dhe të pranojnë autoritetin e shtetit të Kosovës i cili iu ofron të drejtat maksimale të mundshme në botën e qytetëruar për minoritetet.
Shteti i Kosovës në Kushtetutën e tij i siguron të drejtat e minoriteteve dhe në veçanti atij serb. Kuadri ligjor i Kosovës është një nga më të përparuarit e epokës sonë. Prandaj ideja e një asosiacioni mono-etnik me të drejta ekzekutive, është në radhë të parë i panevojshëm por nga ana politike është edhe e rrezikshme për Kosovën, sepse mund të shpjerë në shpërbërjen e saj. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës e cila është njohur me kufijtë e saj në ish-Jugosllavi nga më shumë se gjysma e vendeve të OKB.
Shqiptarët dhe paraardhësit e tyre janë përballur me një kolonizim agresiv serbo-sllav, që prej ardhjes së këtyre të fundit në Ballkan. Si rezultat tokat shqiptare janë tkurrur së tepërmi në pjesën verilindore. Harta e Shqipërisë Etnike e tregon këtë më së miri. Në vitin 1878 Traktati i Shën-Stefanit dhe Kongresi i Berlinit i shkëputën Shqipërisë Etnike në verilindje Vranjën, Medvegjën, Kurshumlinë, Bllacën, Prokupljen, Leskovcin etj. Në vitin 1913 në Konferencën e Londrës, Shqipërisë Etnike iu shkëput midis të tjerash e gjithë Kosova.
Hartat zyrtare otomane të vitit 1900 e vërtetojnë më së miri këtë. Serbia, duke shfrytëzuar situatën gjeo-politike të asaj kohe, e paraqiste pushtimin e saj ushtarak të tokave shqiptare si pushtim të tokave otomane, duke siguruar kështu përkrahjen e vendeve perëndimore dhe natyrisht të Rusisë. Më pas tokat shqiptare iu nënshtruan një kolonizmi agresiv serbo-sllav i cili i përdori të gjitha mjetet: spastrimin e dhunshëm etnik, sllavizimin e detyruar, fenë etj. Spastrimi etnik i Millosheviçit në vitin 1999 nuk ishte i pari. Por ishte i pari spastrim etnik i dukshëm, që bota mundi ta shikonte falë teknologjisë dhe komunikimit të epokës sonë.
Ky kolonizim agresiv shpjegon situatën aktuale të trojeve shqiptare, në Kosovë por edhe në Serbi. Prandaj kur Serbët, justifikohen se po mbrojnë kufijtë e shtetit të tyre kur refuzojnë të njohin Pavarësinë e Kosovës, për kufijtë cilit shtet serb e kanë fjalën? Për atë të vitit 1878? Për atë të vitit 1900? Apo për atë të vitit të vitit 1913?
Natyrisht që të gjitha këto janë justifikime për të vazhduar kolonizimin e tokave shqiptare, për të rikthyer sundimin në Kosovë dhe për të ndryshuar përbërjen e saj etnike në rastin më të parë.
Sot Kosova gjendet në presion të gjithanshëm, madje edhe nga vende aleate, që të pranojë krijimin e një asociacioni të komunave serbe. Drejtuesit politikë të Kosovës nuk duhet ta pranojnë krijimin e këtij asociacioni i cili nuk do të jetë veçse vegël e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe për destabilizimin e rajonit. Serbia synon të krijojë Serbinë e Madhe në kurriz të tokave shqiptare. Shteti i Kosovës nuk ka pse të rrezikojë integritetin e tij territorial dhe të heqë dorë vetë « de jure » nga komunat e Veriut. Aq më pak kur Kosova nuk është pranuar ende në OKB dhe kur Serbia deklaron se nuk e njeh Kosovën.
Kosova nuk ka tokë për të falur, ajo duhet të mbrojë me vendosmëri tokat e saj brenda kufirit që ia njeh gati gjithë bota.
Xhemil Meço