Kosova iu bashkohet sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë

February 25, 2022
min lexim

Një grup qytetarësh protestoi të premten në Prishtinë para Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë kundër sulmit rus në Ukrainë, ndërsa udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, e kanë dënuar sulmin dhe janë zotuar për bashkërendim me veprimet e aleatëve perëndimorë.

“Ne sot përveç thirrjes që po i bëjmë shtetit rus që të ndalojë luftën, që të ndalojë pushtimin e Ukrainës, ne gjithashtu po solidarizohemi, po bashkëndjejmë me popullin e Ukrainës si dhe me popullin rus i cili po lufton pro paqes në Rusi. Kjo është një situatë shumë e vështirë dhe ne si qytetarë të Kosovës gjithashtu, duke qenë që kemi përjetu edhe vet para disa viteve një luftë shkatërrimtare, më shumë se kurrë sot ne e dërgojmë këtë mesazh solidariteti dhe i themi popullit ukrainas që ne jemi me ta”, tha Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës, iu bashkua sot sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë dhe disa individëve nga Bjellorusia, për siç u tha rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus ndaj Ukrainës.

“Sanksionet në pyetje përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregjet financiare dhe masat tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo tranzitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, tha ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është duke bashkëpunuar me aleatët perëndimorë për të kundërshtuar luftën pushtuese të Rusisë dhe për t’u përballur me ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit.

“Kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re por edhe një paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re, në fakt ajo dëshiron që të jetë prapë e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet perandori ruse. Prandaj përgjigja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur dhe e tillë ka qenë. Si pjesë e saj, vendimi ynë i sotëm është bindje vlerore e jona, bashkërendim dhe bashkim me botën e lirë dhe paqedashëse dhe solidarizim me shtetin dhe popullin ukrainas”, tha kryeministri Kurti.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke ndërmarrë hapa për të ruajtur qëndrueshmërinë e sigurisë në vend. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës takoi përfaqësuesit e tri partive politike opozitare për t’i informuar siç tha për situatën aktuale të sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe për masat e ndërmarra nga institucionet e sigurisë dhe bashkërendimin me partnerët ndërkombëtarë.

Rusia, një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila javën e kaluar kremtoi 14 vjet të shtetësisë së saj, që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Edhe Finlanda i reagon Rusisë pas kërcënimit që mori sot

Story i radhës

Alarmon Shtëpia e Bardhë: Kievi mund të bie në duart e rusëve

Të fundit nga

Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag

Bundestagu dëshiron të trajtojë në një seancë të posaçme sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg këtë vit. Sipas informacioneve të studios së ARD në Berlin, Komisioni i Brendshëm i Bundestagut dhe Bordi i Kontrollit
ShkoLartë