Siç mund të vërehet aktualisht, shteti po kalon një ngërç pothuajse të përgjithshëm në funksionim. Jemi në një krizë ku po vihen në pikëpyetje shumë vlera të këtij vendi, dhe shumë çështje tanimë i kemi ringritur në diskutim.
Jemi familjarizuar me faktin se ky vend po ju ofron të rinjve shumë pak mundësi për punësim dhe zhvillim, se ky vend po shëndrohet në vatër zhgënjimi dhe dëshpërimi për të rinjtë, mirëpo ky fakt ka filluar të mirret si i mirëqenë nga të gjitha institucionet vendimmarrëse. Kjo është për keqardhje përderisa institucionet qeverisëse duhej të zhvillonin sa më tepër politika që do ishin në favor të të rinjve dhe ambicieve të tyre drejt karrierës, tu mundësonin vende pune, t’u jepnin arsye për të qëndruar e jo të kontribonin çdo ditë e më shumë në rritjen e dëshirës së tyre për t’u larguar.
Përderisa klasa qeverisëse përqendrohen në prioritete tjera, po u del nga kontrolli prioriteti kryesor i këtij vendi – rinia. Të rinjtë tanë me shumë dëshirë po zgjedhin të japin kontributin e tyre në vendet e jashtme ku ata vlerësohen dhe respektohen për bagazhin dhe shkollimin që bartin, sesa të qëndrojnë dhe të presin se kur “do bëhet mirë” në Kosovë. Efektet e këtyre largimeve masive veqse kanë filluar të vërehen, mirëpo në vitet e ardhshme do jenë plotësisht të dukshme.
Pastaj, problem tjetër momental është mosfillimi i vitit të ri shkollor dhe grevat e punëtorëve. Pra, kemi të bëjmë me situata të shtyra prej një periudhe në tjetrën mirëpo pa ju dhënë zgjidhje finale, të cilat rezultuan deri në këtë pikë. Në anën tjetër kemi një sistem arsimor që e ka shumë të nevojshme të reformohet, një sistem që duhet të vihen shumë çështje në diskutim dhe të gjinden variante të përshtatshme funksionimi. Duhet të ndërrohen metodat e mësimdhënies dhe një nxënës të mos konsiderohet më si një “robot memorizues”(metoda sistematike e të mësuarit përmendësh) por të nxirren në pah aftësitë më të mira të të nxënit duke u bazuar në anën praktike dhe kreative, që të jemi sadopak në hap më zhvillimet e shekullit në të cilin jetojmë.
Duke u referuar ngjarjeve të fundit në vend, mund të pranojmë lirshëm se ka ndodhur një tronditje e vlerave dhe parimeve shoqërore. Me rastin e përdhunimit të vajzës 11 vjeqare, vëmë në pikëpyetje sigurinë, mirëqënien, të drejtat, liritë, integritetin, dinjitetin.
Me ndodhjen e këtij rasti, vuloset fakti se kemi ende shumë punë drejt afirmimit dhe integrimit të rolit të gjinisë femërore në shoqëri, kemi ende punë në luftimin e mentaliteteve të kaluara, kemi ende njerëz të atillë në shoqëri që nuk duan të integrohen por i lënë pas edhe të tjerët me injorancat e tyre.
Mbi të gjitha me ndodhjen e këtij rasti, duhet të rimendohet fakti se a po dobësohet bërthama e shoqërisë – familja, a kemi filluar të kemi lëshime të tilla enorme në edukim të fëmijes, a po u ofrohet fëmijëve koha dhe mbështjetja e duhur, a po u qëndrohet pranë aq sa është e nevojshme apo po kalojmë në një etapë ku jeta e shpejtë dhe aktive nuk mundëson t’u qëndrojmë fëmijëve afër dhe të përcjellim hap pas hapi zhvillimin e tyre. Në momentin kur po ndodhin eskalime të tilla, është shumë vonë për gjithçka, sepse dëmi veqse po ndodh.
Duhet secili në mënyrën e vet të kontribojë që në këtë vend të mos mungojë siguria, të mos përsëriten raste si ky i fundit, të mos krijojmë pabarazi gjinore, diskriminime, etiketime, të mos paragjykojmë të tjerët, të mos edukohen fëmijet me mendimin se djemtë janë më superiorë se vajzat por t’u mësohet barazia, tu mësohet se deri ku shkon e drejta e tyre, t’u mesohet respekti, dhembshuria,empatia. T’u mësohet poashtu se dhuna është edhe psikologjike e jo vetëm fizike, por mbi të gjitha nuk duhet të durohet asnjë shkelje, asnjë mosrespekt e asnjë fyerje e dinjitetit që mund t’u shkaktohet, sepse pasojat po rezultojnë të jenë fatale.