Kosova dhe Shqipëri të kërcënuara nga lufta e Putinit!?/ Ish-ambasadori ka një thirrje për shtetet shqiptare

March 25, 2022
min lexim

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka destabilizuar sigurinë botërore.

Të gjitha shtetet më të fuqishme në botë përfshirë, Amerikën, Gjermaninë, Francën, etj., po vazhdojnë tash e një muaj të bëjnë thirrje për ndërprerjen e agresionit rus në Ukrainë.

Thirrjeve për ndalimin e luftës, i paraprinë edhe shumë sanksione të vendosura ndaj Rusisë, sa që e kanë bllokuar pothuajse të gjithë shtetin e Putinit, mirëpo të cilat nuk e kanë bindur ende presidentin rus që të heq dorë nga pushtimi i shtetit fqinj, Ukrainës.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në luftën Ukrainë-Rusi dhe ndikimin e saj në shtetet shqiptare, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Fillimisht, Lauka përmendi disa nga arsyet që e shtynë Putinin të fillonte luftën në Ukrainë, ndër të cilat është edhe frika nga zgjerimi i NATO-s dhe kundërshtimi i dominimit të Amerikës në Perëndim.

Krahas kësaj, ish-ambasadori kohë më parë ishte edhe i ngarkuar me punë në ambasadën e Shqipërisë në Moskë.

Ai potencoi se askush “nuk ka dyshuar as nuk dyshon në natyrën agresive të Putinit dhe regjimit të tij autoritar. Por agresorët veprojnë kur gjejnë terren të favorshëm dhe nuk ndëshkohen për veprimet që kryejnë”.

Më tej, Lauka thotë se  lufta në Ukrainë përbën kërcënim për paqen në Europë dhe as Shqipëria, as Kosova nuk mund të jenë të imunizuara ndaj rreziqeve që burojnë nga ky konflikt.

Në fund, ish-ambasadori kërkon nga Shqipëria dhe Kosova t’i kryejnë detyrimet e veta kombëtare e shtetërore dhe ato që burojnë nga angazhimi ose orientimi ndaj NATO-s, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë shkaqet e luftës, pushtimit të Ukrainës nga Rusia?

Islam Lauka: Janë disa shkaqe që çuan në agresionin rus kundër Ukrainës. Ndër më kryesoret, është refuzimi i Rusisë për të pranuar rendin ndërkombëtar të vendosur pas luftës së ftohtë. Moska është kundër dominimit të Perëndimit, të udhëhequr nga SHBA-të, në mënyrë të veçantë, kundër NATO-s dhe zgjerimit të saj drejt Lindjes. Sipas saj, bota njëpolëshe ka përfunduar dhe sot kemi disa qendra fuqie, midis tyre, edhe Rusia, e cila ka të drejtë të ketë zonën e vet të ndikimit dhe të “interesave të privilegjuara” në ish-hapësirën e Bashkimit Sovjetik dhe në Europën Lindore, ku përfshihet edhe territori i Ukrainës.

Gazeta “Bota sot”: Ju kohë më parë keni qenë i ngarkuar me punë në ambasadën e Shqipërisë në Moskë. Keni pasur rast ta njihni më mire politikën e Rusisë dhe Putinit. Ka informacione apo nëse reagimi i tashëm është thjesht vazhdim i politikave sistematike të Putinit?

Islam Lauka: Askush nuk ka dyshuar as nuk dyshon në natyrën agresive të Putinit dhe regjimit të tij autoritar. Por, agresorët veprojnë kur gjejnë terren të favorshëm dhe nuk ndëshkohen për veprimet që kryejnë. Perëndimi nuk e ndëshkoi Kremlinin as në agresionin kundër Gjeorgjisë (2008), as në atë për aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve në Ukrainën Lindore (2014). Politika e lëshimeve vetëm sa i nxit dhe i trimëron diktatorët. Vetëm tani u kujtua Perëndimi të veprojë i bashkuar dhe me ashpërsi kundër politikës agresive të Kremlinit. Për fat të keq, me shumë vonesë.

Gazeta “Bota sot”: A është thjesht ekspansionizëm rus, që deri diku e ka shpreh dhe përshkruar vet Putini, duke e parë si një tokë historike ruse, Ukrainën, por edhe si një dëm që sipas tij i është bërë nga shpërbërja e BRSS-së?

Islam Lauka: Është e vërtetë që Putini e konsideron Ukrainën si tokë ruse, por nuk mendoj se, aktualisht, ai po lufton për territore ose për rikthimin e BS-së. Ai kërkon që Ukraina të jetë nën kontrollin e tij, që ajo të mos integrohet në NATO dhe në BE, shkurt, të jetë vasale e Moskës. 

Gjithashtu, Putini synon që Ukraina të mos jetë një vend i zhvilluar dhe demokratik nga frika e ndikimit si “model i keq” për zhvillimet e brendshme në Rusi, kundër regjimit të tij.

Gazeta “Bota sot: A ka rrezik që lufta të marrë përmasa më të mëdha dhe të shpërthejë edhe në vendet e tjera evropiane, si paralajmërohet në Gjeorgji, Moldavi, Ballkanin Perëndimor?

Islam Lauka: Në rast se lufta në Ukrainë zgjat shumë, nuk përjashtohet që Moska të përpiqet të krijojë probleme edhe në ndonjë vend apo rajon tjetër për ta vënë në vështirësi Perëndimin dhe për të spostuar vëmendjen nga Ukraina. Nuk është e thënë që Kremlini të veprojë vetë, drejtpërdrejt, por mund të aktivizojë faktorë të tretë, në shërbim të tij.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni letrën e mëparshme paralajmëruese për Shqipërinë (qarkoren nëse mund të themi) dhe tani listën ‘jomiqësore”, çfarë perspektive mendohet apo synohet me ato nga Rusia?

Islam Lauka: Letra nuk i është dërguar vetëm Shqipërisë, por të gjitha shteteve anëtare të OSBE-së, me të njëjtën përmbajtje. Ajo ishte më shumë një ultimatum, në prag të shpalljes së luftës kundër Ukrainës.

Lista e vendeve “jomiqësore”, e shpallur nga Kremlini përfshin vendet perëndimore, aleate të SHBA-së, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Termi “jomiqësore” është diplomatik dhe përdoret si eufemizëm, në vend të fjalës “armiqësore”. Kuptohet që me vendet armike nuk mund të ketë marrëdhënie.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni pozitën e shteteve shqiptare, Kosovë dhe Shqipëri në këtë konflikt? A janë të rrezikuara ato?

Islam Lauka: Konflikti në Ukrainë paraqet një kthesë rrënjësore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si i tillë, ai përbën kërcënim për paqen në Europë dhe më gjerë. As Shqipëria, as Kosova nuk mund të jenë të imunizuara ndaj rreziqeve që burojnë nga ky konflikt. Gjithsesi, qenia e Shqipërisë në NATO dhe prania e bazës amerikane Bondstill dhe prania e trupave të KFOR-it në Kosovë ofrojnë garanci sigurie për dy vendet tona.

Gazeta “Bota sot”: A ka rrezik për një inkursion serb në veri, në rast të përhapjes së luftës jashtë Ukrainës?

Islam Lauka: Pas agresionit rus në Ukrainë kemi një riaktivizim të forcave nacionaliste në Serbi dhe prej atyre mund të pritet gjithçka. Megjithatë, në gjykimin tim, hallka më e dobët e sigurisë ballkanike është Republika Srpska, ku Dodikun dhe aleatët e tij, Putinin dhe Vuçiqin i bashkon vullneti politik për destabilizimin e Bosnje-Hercegovinës dhe të krejt rajonit.

Gazeta “Bota sot”: A do t’ia arrijë perëndimi me diplomaci, sanksione ndaj Rusisë dhe me ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës jo të drejtpërdrejtë që ta përmbyllë luftën?

Islam Lauka: Jam skeptik në përfundimin e shpejtë të luftës, nëpërmjet sanksioneve, izolimit ndërkombëtar të Rusisë, etj. Ato mund të kenë efekt në afat më të gjatë kohor, por jo të menjëhershëm.

Gazeta “Bota sot”: Ku e shihni ju rolin e Kinës në këtë luftë, dhe në këtë përplasje, Lindje-Perëndim?

Islam Lauka: Kina është përfituesi kryesor i kësaj lufte. Ajo bën lojën e vet: nga njëra anë shprehet për respektimin e integritetit territorial të shteteve, nga ana tjetër, nuk e dënon agresionin rus, as nuk iu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Ajo po përpiqet ta mbajë mirë edhe me Rusinë edhe me Perëndimin. 

Gazeta “Bota sot”: A do të duhej që Shqipëria dhe Kosova të mobilizoheshin së bashku ushtarakisht dhe të bashkëpunonin në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes?

Islam Lauka: Padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, përfshirë ato të sigurisë dhe mbrojtjes. Jo se nuk është bashkëpunuar deri tani, por konflikti Rusi-Ukrainë e bën këtë çështje të domosdoshme dhe urgjente. Dakord që NATO-ja dhe KFOR-i ofrojnë siguri, por reagimi i parë ndaj sfidave rajonale dhe globale duhet të vijë nga ne. Që të na ndihmojnë të tjerët, në radhë të parë, ne duhet ta ndihmojmë veten.

Gazeta “Bota sot”: Duke e parë intensitetin e luftimeve, a do të duhej që shtetet shqiptare të investonin më shumë në sistemet e mbrojtjes dhe blerjen e armatimit?

Islam Lauka: Jemi dëshmitarë që, pas agresionit rus në Ukrainë, edhe shtete të njohura për pacifizmin e tyre të përkushtuar, si Gjermania, kanë vendosur të shumëfishojnë shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për dy shtetet tona, të cilat shtrihen në një zonë me sizmicitet të lartë gjeopolitik, si Ballkani Perëndimor.

Në dritën e zhvillimeve të fundit, Shqipëria dhe Kosova duhet të kryejnë detyrimet e veta kombëtare e shtetërore dhe ato që burojnë nga angazhimi ose orientimi ndaj NATO-s, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Në këtë kontekst, Tirana zyrtare duhet të plotësojë kërkesën e NATO-s për t`i kushtuar 2% të GDP-së shpenzimeve për mbrojtjen. Nga ana e saj, Kosova duhet të rishikojë buxhetin, me synim rritjen e tij për forcimin dhe konsolidimin sa më të shpejtë të ushtrisë.

Forcimit të sigurisë të vendeve tona do t`i shërbente edhe denoncimi, nga ana e Shqipërisë, i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Federatën Ruse, i përafruar në vitin 2004, si dhe heqja dorë, përfundimisht, nga nisma “Ballkani i hapur”.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Intelegjenca e Britanisë së Madhe: Ukraina po lufton dhe zmbraps forcat ruse

Story i radhës

U shtrenjtuan çmimet e derivateve të naftës

Të fundit nga

ShkoLartë