Kosova dhe Serbia takohen sot në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, temat që pritet të diskutohen

February 22, 2022
min lexim

Të martën në Bruksel zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar takimet duke i përshkruar si “takime në kuadër të dialogut”, sepse nga përvoja e së kaluarës është parë se palët shpesh nuk janë takuar fare, por vetëm kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Megjithatë, më 22 shkurt ka plane për zhvillim të një takimi të përbashkët.

Takimin e parë me Lajçakun pritet ta ketë, Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.

Më pas takim të njëjtë do të ketë shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Në orët e pasdites pritet të zhvillohet takimi i përbashkët me ndërmjetësim të Lajçakut.

Sipas burimeve të BE-së, takimet e së martës do të shërbejnë për të vazhduar diskutimet e lidhura me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.

Sipas burimeve diplomatike pritet që temat për të cilat do të diskutohet do të jenë çështja e të pagjeturve, ajo e targave të veturave dhe çështja e energjisë.

Pala serbe, sipas asaj që ka thënë Petkoviq në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë, pritet të kërkojë që të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill.

Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.

Takimi i 22 shkurtit zhvillohet pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave.

Për këtë çështje është arritur një marrëveshje kalimtare në vjeshtën e vitit të kaluar, por është thënë se në një afat prej gjashtë muajsh duhet të arrihet një marrëveshje afatgjate.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se takimet e së martës do të shfrytëzohen për të testuar nëse ka gatishmëri të mjaftueshme mes palëve edhe për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Të dyja palët kanë thënë publikisht se janë të gatshme për takim të tillë, por BE ka insistuar se nëse ndodhë ai, duhet të ketë edhe rezultate konkrete.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i pyetur rreth mundësisë që së shpejti të ketë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ka thënë se “zhvillimi i një takimi të tillë do të bëhet i ditur në një kohë të përshtatshme”.

Burimet e BE-së thonë se takimi i nivelit të lartë do të varet nga takimi në nivel të kryenegociatorëve, si dhe përafrimi i qëndrimeve rreth disa çështjeve të rëndësishme për të dyja palët./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shpëtohet 31 vjeçarja që mbeti e bllokuar për një orë me kokë në oxhak

Story i radhës

Kur mund të thuash që një vend është demokratik

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë