Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Vuçiç vihet në lëvizje

May 12, 2022
min lexim

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, të enjten e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.

“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës paraditen e së enjtes fillimisht miratoi në parim nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas njoftimit të Qeverisë, me këtë vendim Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u obligua që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat
brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet.

Vuçiq paralajmëron takim më 13 maj me Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Presidenti serb, të enjten, në Beograd tha se me këtë veprim Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë të Brukselit.

“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe në një psikozë konflikti, por të japim një përgjigje të fortë, në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se për premten ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe në javët në vijim, “Serbia do të bëjë çmos për të treguar se mund ta shpëtojmë vendin tonë”.

Marrëveshja e Uashingtonit, apo Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

Afati i kësaj marrëveshjeje ishte paraparë të zgjatë një vit, por Departamenti i Shtetit më herët kishte inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, pikë e cila ishte pjesë e marrëveshjes.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Roli i Këshillit të Evropës në raport me Kosovën është më i njohur për publikun kosovar për shkak të një raporti që i është dorëzuar këtij institucioni në vitin 2010, ku përmenden krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”, në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Autor i këtij raporti ishte ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty.

Pohimet e Dick Martyt u hetuan nga një prokuror amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, deklaroi se një ekip special i hetuesve “erdhi në përfundime të pakontestueshme për ngritje të akuzave për krime lufte ndaj individëve që kanë drejtuar me ish UÇK-në, por nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh”.

Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.

Në këtë gjykatë deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore tashmë janë duke u zhvilluar.

Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dheJakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Gjobiten 4 investitorë të ndërtimeve të larta në Malishevë

Story i radhës

Presidenti i ri/ Fatmir Mediu: Nëse opozita nuk garanton konsensus mes vetes, është e kotë të negociojë me mazhorancën

Të fundit nga

Vit i ri, sulm i ri

Një qëllim për vitin e ri? E po, të ndryshojë. Sulmi i Milanit, mes Krishtlindjeve dhe Epifanisë, rrezikon një ristrukturim të rëndësishëm. Në ndeshjen e fundit të vitit, kundër Romës, Fonseca mund
ShkoLartë