Nikola Kedhi nga Instituti Konservator,foli mbi raportet ndërkombëtare që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe lirinë e medias në Shqipëri.
Ai u ndal te disa dokumente të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Parlamentin Europian, të cilat sipas tij paraqesin shqetësime për situatën në vend.
“Në disa raporte Shqipëria përshkruhet si një korridor i ri për krimin e organizuar, ku paratë e drogës dhe aktiviteteve kriminale hyjnë në ekonomi, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.”-tha Kedhi.
Ai shtoi se në këto dokumente ngrihen shqetësime edhe për lirinë e medias, ku gazetarët shpesh përballen me presion dhe vetëcensurë.
“Në raportet për të drejtat e njeriut thuhet se mediat ndodhen nën presion, si nga pronarët ashtu edhe nga faktorë të tjerë, gjë që ndikon në mënyrën si informohet publiku.”-shtoi ai.
Gjatë emisionit u përmendën edhe qëndrime të eurodeputetëve në Parlamentin Europian, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar në proceset politike dhe institucionale në Shqipëri.
Burimi: botasot.info


