Opinione dhe qasje të cilat janë të pjesshme, të painformuara dhe të njëanshme shpeshherë kanë rezultuar në vendime dhe zgjedhje të gabuara të cilat kanë provuar të dëmshme për ne dhe njerëzit që na rrethojnë. Mendimi kritik, shumë i rëndësishëm për të kuptuarit tonë të botës, na ndihmon të peshojmë idetë përballë pretendimeve, manipulimin përballë realitetit. Është një qasje e cila nuk merr vëmendje të madhe në shkolla ku të rinjtë mësojnë se çfarë të mendojnë dhe jo sesi të mendojnë.
Ponder, një nismë e cila u implementua për herë të parë në Kosovë erdhi në Shqipëri me misionin për të fuqizuar mendimin dhe qasjen kritike ndaj informacionit në media tradicionale dhe sociale duke i trajnuar të rinjtë rreth diversitetit, plagjiaturës, prezantimit të informacionit dhe interpretimit të imazheve.
Më 2-4 Shkurt 2023 Ponder mbajti edicionin e katërt në Shqipëri në qytetin e Korçës pranë ambienteve të Korça Innovation & Tech Hub në Bibliotekën “Thimi Mitko.”
Nga një numër rekord aplikimesh të mbërritura, vetëm 60 të rinj u përzgjodhën për tu bërë pjesë e workshopit 3-ditor. Organizuar nga ICTSlab dhe UNICEF Albania, Edicioni i katërt i Ponder u organizua në kuadër të Projektit “Qëndro” me financimin e qeverisë Italiane dhe partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Ambasadën Italiane në Shqipëri dhe Bashkinë Korçë.
12 mentorë ekspertë në fushën e medias si: Flogert Muça, Xheni Hatillari, Manjola Hasa, Xhensil Shkëmbi, Joan Deli, Iden Petraj, Eriona Pambuku, Blerina Caslli, Artin Halili, Entela Maçka, Doriana Pupa dhe Megi Koleci ndoqën ecurinë e trajnimit me të rinjtë përgjatë workshopit 3-ditor.
Ponder filloi me dy modulet e “Shkrim dhe Lexim Kritik Mediatik” dhe “Llojet e Mediave” në ditën e parë shoqëruar nga ushtrime, lojëra, dëfrim dhe këngë. Kjo ditë u mbyll me procesin këshillues të të rinjve për esetë që duhej të dorëzonin në ditën e dytë.
Ky program shpërblen esetë më të mirë me intershipe me pagesë pranë mediave të ndryshme lokale dhe kombëtare.
“Leximi i Fotografive” dhe “Fuqizimi mes shkrimit dhe leximit mediatik” zunë ditën e dytë të Ponder. Gjatë modulit të tretë secili grup krijoi histori duke u bazuar në imazhe dhe më pas realizuan fotot e tyre të cilat u prezantuan mes grupeve për të bërë interpretimin e tyre. Gjatë modulit e katërt një bashkëbisedim interaktiv bashkoi mentorët, pjesëmarrësit dhe anëtarë të stafit.
Kryetari i Bashkisë Korçë z. Sotiraq Filo erdhi për një vizitë në ditën e dytë të Ponder për të biseduar me të pranishmit rreth eksperiencës duke shprehur vlerësim dhe mirënjohje për organizimin e këtij programi në qytetin e Korçës.
Në fund të ditës të rinjtë dorëzuan esetë dhe gjashtë punimet më të mira do të shpërbleheshin me intershipe me pagesë. Niveli i lartë i punimeve e bëri më të vështirë punën për jurinë e cila në këtë edicion përfaqësohej nga vetë mentorët.
Fituesit e internshipeve u shpallën në ditën e fundit të workshopit:
- Steisi Yzeiri “Sensibilizim per Emigracionin”
- Elgis Dede “Kriptomonedhat, skepticizmi i njerëzve kundrejt tyre dhe çfarë sigurojnë për të ardhmen”
- Seni Cene “Të jetoj”
- Katerina Drabo “Ndryshimet demografike në Shqipëri dhe lëvizjet e popullsisë-prirjet për të ardhmen”
- Katerina Naçi “2020, një vit që nuk ka për t’u harruar lehtë”
- Mikael Lipi “Ndikimi i medias në shoqërinë shqiptare”
Çdo pjesëmarrës, mentor dhe vullnetar u pajis me certifikatën përkatëse gjatë ceremonisë së mbylljes së aktivitetit. Gjatë kësaj ceremonie u mbajtën fjalime kryetari i Bashkisë Korçë z. Sotiraq Filo, Bashkëthemeluesi i ICTSlab z.Kushtrim Shala, CEO e ICTSlab znj. Esmeralda Shala, mentorë dhe te rinj fitues.
Duke i mbështetur të rinjtë në zhvillimin e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballen në komunitetet e tyre, të zhvillojnë aftësi dhe përvoja profesionale përmes ekspertëve të fushës dhe të zgjidhin sfida shoqërore e të kontribuojnë në komunitetet e tyre, UNICEF dhe PONDER kërkojnë ti shndërrojnë ata në forcë pozitive ndryshimi në komunitetet ku jetojnë.