Mentor Nazarko: Faktorit politik shqiptar i duhet pajtim rreth objektivave strategjike

Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi kanë dëshmuar se duan stabilitetin politik të Maqedonisë së Veriut dhe për këtë arsye kjo miqësi, ky vullnet, ky kontribut për stabilitet do të duhet që të legalizohet nëpërmjet një dokumenti me karakter strategjik afatgjatë, kështu thotë në një prononcim për Indeks.mk, analisti politik nga Tirana – Mentor Nazarko.

Sipas tij, ndërtimi i Korridorit 8, kontributet reciproke për ruajtjen e stabilitetit midis dy vendeve, avancimi i mëtejmë i statusit të shqiptarëve mund të ishin pjesë e këtij traktati.
“Angazhimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut është shumë i madh. Është shumë i madh në raport me pikën e nisjes, fillimin e shkëputjes së Republikës së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia. Por do të ishte shumë më i madh në qoftë se faktori politik shqiptar kishte disa cilësi, ose do të kishte arritur disa rezultate. Nëse do ju referoheshim cilësive, faktori politik shqiptar do të kishte një konvergjencë maksimale për ato që do të ishin qëllimet e përbashkëta të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo konvergjencë ka munguar dhe në disa raste është imponuar nga jashtë, siç ishin dy rastet e fundit të tryezës së Tiranës”, deklaroi Nazarko për Indeks.mk

Ai thotë se faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut i është dashur, dhe do t’i duhet pajtim rreth atyre që janë objektiva strategjike të shqiptarëve.

“Paaftësia për të pasur një listë kërkesash të përbashkëta decentralizimi fiskal, pazotësia e imponuar, 12 km autostradë deri në kufi me Kosovën, ndërkohë që Kosova ka ndërtuar autostradë nga Prishtina, nevoja për parti qytetare që do shtonin vota të shqiptarëve ortodoksë etj. Kjo mungon! Ky pajtim duhet të realizohet për kushtet specifike të Maqedonisë. Në rastin konkret, dhe këtu fillojmë me kryeradhë. Hapja e kushtetutës, prekja e preambulës për të akomoduar kërkesat e Bullgarisë, që në fakt janë gjallëruar pas realizimit të kërkesave të Greqisë, është një rast i mirë që faktori politik shqiptar nëpërmjet një liste kërkesash të veta të akomodonte gjithashtu kërkesat e veta për ndryshime kushtetuese që lidhen me faktorin shqiptar. Sepse Kushtetuta nuk është një dokument i cili mund të ndryshohet shpesh. Mungon kjo konvergjencë e faktorit shqiptar, për kërkesat që do të mund të paraqiste”, theksoi ai.

Story i mëparshëm

Korça mirëpret edicionin e katërt të Ponder

Story i radhës

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite edhe interpelanca e Kurtit

Të fundit nga