Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje nga Sofja tha se vonesa e zgjerimit të BE-së krijon destabilitet shtesë në rajon, sepse ka disa tendenca negative dhe krijon hapësirë për ndikim keqdashës nga palët e treta. Kryeministri bullgar Kiril Petkov, ndërkohë, tha se ishte optimist për një zgjidhje të shpejtë të kontestit me Shkupin, duke thënë se Maqedonia e Veriut “i përket familjes së BE-së dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, dje tha se bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse çdo vonesë do ta bënte Ballkanin Perëndimor të prekshëm ndaj ndikimit të jashtëm.
Në kuadër të rritjes së rreziqeve të sigurisë për Ballkanin, Petkov porositi se me inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, rajoni do të jetë më i qëndrueshëm, duke shtuar se është në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera me Unionin dhe vendet e NATO-s.
Kovaçevski, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit të shefave të qeverive nga vendet anëtare të Evropës Juglindore anëtare të NATO-s, me kryeministrat e Bullgarisë, Kiril Petkov, Rumanisë, Nikollae Çuka dhe Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, theksoi se shtyrja e procesit të anëtarësimit të vendeve nga rajoni drejt BE-së, krijon dilema që mund të rezultojë në uljen e besimit të qytetarëve në Union.
“Ky takim e hap rrugën për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në sigurinë dhe stabilitetin tonë në kontekstin e pasojave të mundshme që mund të paraqiten nga kriza aktuale e sigurisë dhe humanitare në Ukrainë,” theksoi Kovaçevski dhe shtoi se vendet pjesëmarrëse në takim mbesin fuqishëm në pozitën për të dënuar luftën në Ukrainë si një pushtimi i paligjshëm dhe jolegjitim i Rusisë.
Petkov, i pyetur për dialogun me Shkupin, tha se Komisioni Historik e kishte informuar se është bërë përparim në figurat e rëndësishme historike në bisedimet me Shkupin për tejkalimin e dallimeve.
“Komisioni i Historisë më informoi për disa figura të rëndësishme historike dhe trajtimin e tyre. Unë do t’ju jap disa detaje. Ne kemi bërë përparim në këto çështje, në një mënyrë shumë konstruktive dhe realiste që na hap mundësinë për të përshpejtuar negociatat tona. Sigurisht që unë dhe partnerët e mi të koalicionit fillimisht do të duhet të marrim një raport të plotë nga Komisioni, por sapo të marrim raportin, kjo punë do të shkojë shumë shpejt”, tha Petkov.
Ai vlerësoi se po intensifikohet dialogu me Maqedoninë e Veriut dhe në javët në vijim pret të përshpejtohet.
Kryeministri bullgar shtoi se së bashku me Kovaçevskin kanë vendosur disa standarde që duhet të arrihen, të cilat janë diskutuar në takimet e mëparshme, duke thënë se Maqedonia e Veriut i përket familjes së BE-së dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur.
Në lidhje me Komisionin Historik, Kovaçevski nga ana e tij tha se historianët punojnë pavarësisht dialogut politik dhe grupeve tjera të punës që punojnë edhe në çështje tjera.
Ai potencoi se po intensifikohet komunikimi me Sofjen, si nga perspektiva institucionale, ashtu edhe nga ajo e qytetarëve.
Kryeministri vlerësoi se komunikimi mes dy vendeve fqinje duhet të bazohet në vlerat e bashkëpunimit të vlerave evropiane, mirëkuptimit dhe besimit reciprok, si dhe respektit dhe kjo është mënyra se si duhet të komunikojnë dy vendet fqinje me njëri-tjetrin.