Më 15 tetor 2024, në një sallë hoteli në Aleksandri të Virxhinias, përtej lumit Potomak nga Uashingtoni, një ish-agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së qëndroi përpara një audience me ekspertë të teknologjisë dhe bëri një prezantim shitjeje për një softuer të fuqishëm.
I prodhuar nga një kompani e quajtur Oxygen Forensics, softueri nxjerr të dhëna dhe dokumente nga telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, madje duke thyer edhe enkriptimin e fjalëkalimeve. Ai përdoret nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, Shërbimi Sekret, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Byroja Federale e Hetimit (FBI). Në fakt, nga dhjetëra agjenci federale dhe lokale të policisë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
Në një video të prezantimit, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, ish-agjenti Konstantinos “Gus” Dimitrelos lavdëron aftësitë e fuqishme të softuerit Oxygen. Si shembull, ai mburret se e ka përdorur atë për të nxjerrë dhjetëra mijëra dokumente nga një kopje e hard-diskut të një llaptopi që i përkiste Hunter Bidenit – djalit të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Joe Biden.
“Oxygen është mjeti im numër një. Është i vetmi mjet që përdor. Është i vetmi mjet që u mësoj të tjerëve. E dua. E dua”, tha Dimitrelos. “Për shumë arsye, por numër një është se më lejon të autentifikoj. Pra, ajo që munda të bëj ishte të rikuperoja të dhëna nga ky llaptop”.
“Disa vite më parë pranoj një telefonatë. Më thonë: ‘Kam një llaptop’”, shpjegoi Dimitrelos para audiencës. “‘Çfarë është?’. ‘Është llaptopi i Hunter Bidenit’. Dhe, unë them: ‘Oh, është llaptopi i Hunter Bidenit, a?’”.
Dimitrelos i referohej një skandali që tronditi politikën amerikane gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, në të cilat babai i Hunter Bidenit, Joe Biden, mposhti presidentin në pushtet, Donald Trump.
Dy vjet më vonë, më 23 shtator 2026, Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave ndaj dy drejtuesve të Oxygen mbi dyshimin se kishin gënjyer lidhur me pronësinë dhe kontrollin e vërtetë të kompanisë.
Sipas autoriteteve federale, Oxygen Forensics është në fakt në pronësi dhe nën kontrollin e Rusisë.
Prezantimi i Dimitrelosit është një dritare mbi përhapjen e gjerë të përdorimit të softuerit Oxygen – të paktën deri vonë – nga ekspertë të industrisë së forenzikës digjitale, si dhe nga agjenci policore dhe të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe mbarë botën. Akuzat e reja penale, që lidhen me pronësinë e softuerit, kanë ngjallur shqetësime për përdorimin – ose keqpërdorimin e mundshëm – të tij.
Dimitrelos, i cili nuk iu përgjigj kërkesave për koment të dërguara me email, ishte punësuar nga gazeta Washington Examiner për të autentifikuar hard-diskun e Bidenit. Përpjekja e tij nuk ishte e para: FBI-ja kishte thënë se e kishte verifikuar më herët pronësinë e llaptopit. Washington Post angazhoi ekspertë të jashtëm për analizën e vet të disa prej të dhënave.
Megjithatë, Dimitrelos është i vetmi person i njohur që ka përdorur softuerin Oxygen Forensics në llaptop. Ai pretendoi se kishte rikuperuar më shumë dokumente nga hard-disku i tij – përfshirë dhjetëra mijëra dokumente të fshira – sesa analizat e tjera.
Versioni amerikan i softuerit është identik me versionin rus, sipas aktivistëve rusë, si dhe një ish-punonjësi të Oxygen që ka paraqitur ankesa si sinjalizues pranë qeverisë amerikane.
Në fakt, bëhet fjalë për të njëjtin softuer që Oxygen – e cila ndryshoi emrin e saj në Rusi në MKO-Systems – ua furnizon Shërbimit Federal të Sigurisë, agjencisë kryesore të inteligjencës së Rusisë, dhe institucioneve të tjera ruse.
Pesë shtetasit rusë të listuar si pronarë të MKO-Systems – të identifikuar si “bashkëpunëtorë” në dokumentet gjyqësore – janë të njëjtët pesë persona që qëndrojnë pas Oxygen Forensics, sipas akuzave të autoriteteve.
Njëri prej tyre është shefi i teknologjisë së kompanisë, shtetasi rus Oleg Davydov, i cili u arrestua në aeroportin Heathrow të Londrës dhe u burgos në pritje të ekstradimit të pritshëm drejt Shteteve të Bashkuara. Shefi amerikan i Oxygen-it, Lee Reiber, u arrestua në Ajdaho në të njëjtën ditë, më 20 shtator, dhe u lirua me kusht.
Në shkurt, Shërbimi Sekret anuloi një kontratë pesëvjeçare që kishte nënshkruar me Oxygen-in, duke iu referuar “rreziqeve të sigurisë”. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit nënshkroi një kontratë të re në gusht, vetëm disa javë para njoftimit të akuzave penale.
Policia britanike dhe agjenci policore evropiane tani po përpiqen të ndalojnë përdorimin e softuerit të Oxygen-it, pasi u bë publike prejardhja e tij ruse.
“Po më thoni se nuk po vendosin dyer të pasme?”
Softueri i Oxygen-it është i fuqishëm, sipas ekspertëve të industrisë, dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse është i popullarizuar.
Ajo që mbetet e paqartë është nëse është i rrezikshëm; për shembull, nëse përmban kod keqdashës ose një derë të pasme që do t’u mundësonte hakerëve apo personave të jashtëm të hynin në të dhënat e nxjerra.
“Jo çdo kompani softuerike me pronarë rusë bën gjëra të dyshimta”, tha Runa Sandvik, eksperte norvegjezo-amerikane e sigurisë digjitale. “Nuk kemi prova konkrete që sugjerojnë se softueri ka bërë diçka tjetër përveç asaj që duhej të bënte”.
“Megjithatë, historikisht, kompanitë legjitime nuk strukturohen në këtë mënyrë”, shtoi ajo.
Një tjetër kompani e madhe në industrinë e forenzikës digjitale është Cellebrite, një firmë izraelite që e paditi Oxygen-in në vitin 2015 për shkelje të të drejtave të autorit. Në atë padi, Cellebrite pretendoi gjithashtu se Oxygen Forensics kontrollohej në fakt nga pronarë rusë.
“Oxygen kishte kontrata me shumë vende, gjë që na tregon se mund të konkurronte me aktorët e tjerë në këtë fushë, kështu që, bazuar në këtë, do të thosha se është e saktë ta përshkruajmë si një softuer të fuqishëm”, tha Sandvik.
Në njoftimin e tij, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së nuk tha se softueri përmbante kod keqdashës ose se ishte përdorur për të fituar qasje të paautorizuar. Ai tha vetëm se ankesa “nuk pretendon” një gjë të tillë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi Sekret tha se përdorimi i softuerit të Oxygen-it “u ndërpre menjëherë në shkurt 2026, pasi agjencia identifikoi rreziqe sigurie. Ky program u përdor ekskluzivisht në mjedise të izoluara nga rrjeti dhe nuk ka prova se ndonjë informacion i ndjeshëm është komprometuar”.
“Mjedis i izoluar” i referohet rrjeteve kompjuterike të izoluara nga rrjetet e pasigurta, si interneti, për të parandaluar hakerët ose ndërhyrësit kibernetikë të kenë qasje, apo për të parandaluar përhapjen e programeve keqdashëse.
Departamenti i Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Në një email për Radion Evropa e Lirë, Departamenti i Shtetit, i cili nënshkroi një kontratë të re në gusht, nuk pranoi të thoshte nëse vazhdon ta përdorë softuerin ose nëse ka shqetësime lidhur me rreziqet e tij të sigurisë.
Marianne Meagher, e cila mbikëqyrte shitjet e Oxygen Forensics tek agjencitë e qeverisë federale, tha se nuk kishte pasur dijeni se kompania ishte në pronësi dhe nën kontrollin e shtetasve rusë.
“Ky softuer është kaq i sofistikuar. Nëse mund ta përdorësh për të hyrë në çdo gjë, kudo ku kanë punuar, dhe pronarët janë rusë?”, tha ajo në një intervistë. “Kjo është problematike”.
“Po më thoni se rusët që e zotëronin dhe e koduan këtë dreq softueri nuk po përdorin, nuk po vendosin dyer të pasme? Se nuk po e përdorin për qëllimet e tyre? Budallallëqe”, tha ajo. “Më falni për gjuhën”.
“Është keq që Oxygen i gënjeu autoritetet federale, por këtu ka një problem shumë, shumë më të madh”, shtoi ajo.
Vendosja e një dere të pasme “do të ishte teknikisht e mundur”, tha Sandvik, “por do të supozoja se autoritetet amerikane do të kishin mundësinë ta kontrollonin dhe ta parandalonin një gjë të tillë”.
Radio Moska
Oxygen Software u themelua në Rusi në vitin 2002 nga Davydov dhe një tjetër person, Oleg Fyodorov.
Si bashkëthemelues ishte listuar gjithashtu Instituti Kërkimor i Moskës për Radiokomunikimimet, një ish-ent shtetëror që prodhon sisteme komunikimi satelitor dhe zhvillon elektronikë për raketa, ndër të tjera. Instituti u privatizua në fillim të viteve 1990.
Fyodorov punonte për institutin, ashtu si edhe babai i tij, Yevgeny, një specialist i njohur sovjetik dhe rus i sistemeve të radiokomunikimit ushtarak.
Deri në vitin 2015, Oxygen Software ishte fizikisht e vendosur në ambientet e institutit. Atë vit, kompania zhvendosi zyrat dhe ndryshoi emrin në MKO-Systems – akronimi rus i emrit të produktit të saj kryesor: Mobile Forensic Detective.
Dy vjet më parë, në vitin 2013, Davydov kishte themeluar Oxygen Forensics, me seli në Aleksandri të Virxhinias. Reiber, një ish-polic i Ajdahos me përvojë në nxjerrjen e të dhënave nga pajisjet celulare, iu bashkua kompanisë në vitin 2015.
Brenda Rusisë, softueri i Oxygen-it u bë lider i industrisë, duke u përdorur gjerësisht nga agjenci të zbatimit të ligjit, si Komiteti Hetimor, Ministria e Brendshme dhe Shërbimi Federal i Sigurisë, ose FSB-ja.
Nuk është e qartë se kur saktësisht Instituti Kërkimor i Moskës nuk figuroi më si bashkëpronar.
Por, pasi instituti falimentoi në vitin 2022, ai u ble nga një grup investitorësh ku bënte pjesë Eduard Bendersky, ish-oficer i forcave speciale të FSB-së. Dhëndri i Benderskyt është Maksim Yakubets, një programues që zhvilloi një formë famëkeqe ransomware-i, të njohur si Evil Corp. Yakubets u padit nga autoritetet amerikane në vitin 2019, dhe tani është në listën e personave më të kërkuar nga FBI-ja.
Në vitin 2024, autoritetet amerikane dhe britanike e cilësuan Benderskyn si “ndihmues kryesor të Evil Corp”.
Radio Evropa e Lirë nuk ishte në gjendje të përcaktonte një lidhje mes Benderskyt dhe Oxygen Software.
MKO-Systems mori një email nga Radio Evropa e Lirë me kërkesë për koment, por nuk u përgjigj. Fyodorov nuk iu përgjigj një emaili me kërkesë për koment. Davydov, i cili mbeti në paraburgim në Britani në pritje të një ekstradimi të mundshëm, nuk mund të kontaktohej për koment.
Investimet amerikane
Në Rusi, softueri Mobile Forensic Detective përdoret gjerësisht, sipas aktivistëve dhe ekspertëve, për të hyrë në pajisjet elektronike, shpesh në kuadër të ndjekjeve penale me motive politike.
Mes objektivave ka qenë edhe gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila u arrestua gjatë një vizite në vendin e saj të lindjes në vitin 2023 dhe u dënua me 6 vjet e gjysmë burg për akuza që ajo dhe Radio Evropa e Lirë i cilësuan të pabazuara. Ajo u lirua në një shkëmbim të burgosurish në gusht 2024.
Në Shtetet e Bashkuara, Oxygen Forensics siguroi kontrata fitimprurëse me agjenci qeveritare, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr forcën që kontrollon kufijtë amerikanë dhe zbaton ligjet e imigracionit. Shërbimi Sekret e bleu softuerin për Institutin Kombëtar të Forenzikës Kompjuterike.
Të dhënat e brendshme të shitjeve, të ndara me Radion Evropa e Lirë, tregonin se kompania kishte kontrata me dhjetëra agjenci federale dhe shtetërore, si dhe me shumë entitete në mbarë botën.
Sipas dokumenteve gjyqësore, pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, Oxygen filloi të përpiqej të fshihte pronësinë e saj ruse, nga frika se mund të humbiste kontratat me qeverinë amerikane. Kompania krijoi një ndërmjetës me emër të ngjashëm në Qipro: Oxygen Cyprus.
Ndryshe nga raportimi i Radios Evropa e Lirë, i cili zbuloi se Oxygen e ndryshoi emrin e entitetit të saj rus në MKO-Systems në vitin 2015, Departamenti i Drejtësisë pretendoi se ndryshimi ndodhi pas vitit 2022.
Pesë pronarët rusë, ndërkohë, u zhdukën nga regjistrat e korporatave ruse, por prokurorët pretenduan se ata vazhduan të merrnin vendime për kompaninë, të kontrollonin pagesat dhe të mbikëqyrnin llogaritë bankare të kompanisë.
Reiber, i cili nuk mund të kontaktohej për koment, dyshohet se i konfirmoi qeverisë amerikane në vitet 2022 dhe 2023 se Oxygen Forensics nuk kishte pronarë të tjerë, një kërkesë kyç për kontratat me qeverinë federale.
Në nëntor 2023, pronësia e MKO-Systems iu transferua një kompanie të panjohur teknologjike të quajtur Prostranstvo IT. Kompania nuk duket se i bën publike aksionarët e saj aktualë, dhe Radio Evropa e Lirë nuk ishte në gjendje t’i identifikonte ata.
Beteja gjyqësore
Në dhjetor 2023, Oxygen Forensics punësoi një amerikan rusishtfolës, të quajtur Max Weissberg, për të ndihmuar në marketingun e kompanisë, përfshirë prodhimin e videove promocionale.
Weissberg u pushua nga puna 22 muaj më vonë, në tetor 2025, sipas një padie që Oxygen ngriti kundër tij, duke kërkuar kthimin e dy llaptopëve dhe dokumenteve digjitale. Kompania e akuzoi Weissbergun për “përhapjen e deklaratave të rreme dhe shpifëse se Oxygen Forensics ishte në pronësi dhe nën kontrollin e Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë”.
Weissberg i tha Radios Evropa e Lirë se në prill 2024 udhëtoi në Moskë, ku u takua me disa nga punonjësit rusë të Oxygen-it, përfshirë Davydovin dhe Fyodorovin.
Ai tha se, ndërsa Davydov dhe punonjës të tjerë në Moskë ishin miqësorë, Fyodorov ishte i ftohtë dhe i zymtë.
“Nuk mendoj se ai vetë është FSB, por mendoj se patjetër ka miq dhe për këtë arsye është i paprekshëm”, tha Weissberg. “Plot vetëbesim”.
Weissberg tha se vitin e kaluar, në tetor 2025, kishte paraqitur një ankesë si sinjalizues pranë Departamentit të Shtetit, duke pretenduar se Oxygen po keqparaqiste pronësinë e saj.
Një ditë pas njoftimit të Departamentit të Drejtësisë për akuzat penale, më 24 shtator 2026, Weissberg tha se u takua me hetues nga Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, të cilët i kërkuan më shumë detaje rreth punonjësve të kompanisë.
Ata, gjithashtu, i thanë Weissbergut se një hetim ndaj kompanisë ishte hapur fillimisht një vit më parë, në tetor 2025, tha ai.
Një laptop politik
Shumë kohë përpara se Dimitrelos të punësohej për të kryer nxjerrjen e të dhënave me softuerin e Oxygen-it, laptopi Apple i Hunter Bidenit ishte në qendër të një skandali politik jashtëzakonisht të nxehtë në SHBA.
Biden, i cili po përballej me varësi të rëndë nga droga, e dorëzoi llaptopin e dëmtuar në një dyqan riparimi në vitin 2019, e më pas të dhënat dhe përmbajtja e tij – disa prej të cilave ishin të turpshme ose sugjeronin marrëveshje të dyshimta biznesi – u shpërndanë me avokatë dhe aktivistë republikanë; disa media amerikane publikuan artikuj.
Kompani të mëdha të rrjeteve sociale përfundimisht kufizuan shpërndarjen e artikujve, duke iu referuar pretendimeve se Rusia mund të kishte manipuluar të dhënat.
Hunter Biden u akuzua në shtator 2023 për posedim të paligjshëm të një arme zjarri ndërsa ishte i varur nga droga – vepër penale sipas ligjit amerikan – dhe u shpall fajtor nga një juri federale nëntë muaj më vonë.
Gjatë procedurave gjyqësore, një agjent i FBI-së dëshmoi se agjencia kishte verifikuar autenticitetin e laptopit.
Radio Evropa e Lirë nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse FBI-ja kishte përdorur softuerin e Oxygen-it në laptop./REL
Burimi: botasot.info


