Kompensimi i dritave dhe indeksimi, sa rritet përfitimi për pensionistët! Shtesa e re ka nisur të aplikohet prej këtij muaji

min lexim

Prej 1 tetorit ka hyrë në fuqi rritja e pensioneve me 6 për qind. Në paketën e dytë antikrizë, qeveria hoqi dorë nga kompensimi direkt dhe përkundrejt kësaj skeme, zgjodhi të indeksojë pensionet, për herë të dytë në harkun e një viti.

Shtesa që ka nisur të aplikohet duke nisur nga ky muaj varion nga 500 deri në 1800 lekë, një vlerë kjo e ulët dhe e pamjaftueshme për të përballuar efektet e krizës si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve, veçanërisht për produktet e shportës, të cilat kanë njohur një rritje gati dyshifrore.

RIMBURSIMI

Por indeksimi i bërë nuk prek skemën e kompensimit të dritave. Kështu, veç shtesës apo rritjes me 6 për qind, pensionistët do të vazhdojnë të marrin edhe 500 lekë në muaj në formë kompensimi për dritat dhe ndryshimin e çmimit të bukës. Të favorizuar janë edhe ata të moshuar, të cilët kanë fëmijë, por që nuk janë në marrëdhënie pune, pasi për këtë kategori aplikohet edhe një shtesë tjetër, që është rreth 414 lekë në muaj. Pra, gjithsej janë 914 lekë, që të moshuarit do të vazhdojnë të përfitojnë çdo muaj krahas të ardhurave nga pensioni, pa përfshirë këtu edhe 648 lekë që llogariten pas heqjes së fashës për konsum deri në 300 kilovatë.

“Edhe pas aplikimit të indeksit, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni, do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike te pensionistit etj.”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Krahas këtij kompensimi, ata të cilët trajtohen me pension minimal, marrin edhe disa përfitime shtesë të miratuara ndër vite, vlera e të cilave në total shkon 1650 lekë në muaj. Kjo do të reflektohet edhe në masën e pensioneve, të cilët pas indeksimit kanë njohur një rritje, e cila varion nga 500 lekë deri në 1800 lekë. Shtesa e re do të aplikohet për 18 kategori pensionesh përfshirë edhe ish-ushtarakët, minatorët e naftëtarët. Konkretisht, pensioni bazë minimal për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe ato familjare, nga 14 924 lekë që është bëhet 15 820 lekë, pra, do të rritet me rreth 900 lekë në muaj.

Ndërsa ai maksimal nga 29 851 lekë që është, do të bëhet 31 640 lekë, pra, rritet me rreth 1800 lekë në muaj. Ndërkohë, pas indeksimit, pensionet në fshat do të rriten me 613 lekë, nga 10 221 lekë që janë aktualisht, bëhen 10 835 lekë. Shtesë do të kenë edhe ata, të cilët nuk kanë mbushur vitet kontributeve dhe iu është lidhur pension social. Në total vlera e përfitimit për këta pensionistë do të rritet me 500 lekë, duke shkuar në rreth 8600 lekë në muaj.

SI PËRFITOHET

Nga skema e kompensimit mund të përfitojnë edhe pensionistët që dalin rishtazi në pension. Mjafton të plotësojnë kushtet. Konkretisht për të marrë rimbursimin duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë (bashkëshorti/tja) ose të jenë të papunë punëkërkues. Për këtë duhet të dorëzojë certifikatën familjare ku janë të shënuar pjesëtarët e familjes.

Në rastin kur janë dy pensionistë, pra, burrë e grua, kompensimin e përfiton vetëm njëri prej tyre. Kjo, pasi dokumenti tjetër që duhet është libreza e dritave në emër të aplikuesit për të marrë kompensimin. Por edhe nëse përfituesi plotëson kriteret, kompensimi nuk përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit. Lidhur me procedurën e aplikimit, për të përfituar shtesën pensionistët duhet të paraqiten pranë drejtorive rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku përveç formularit duhet të dorë-zojnë një fotokopje të kartës së identitetit, kopje e kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në emrin e vet, kopje e librezës ose faturës së likuiduar që vërteton se e paguajnë energjinë e konsumuar si edhe certifikatë familjare për të vërtetuar që janë kryefamiljarë të vetëm ose kanë persona të tjerë të familjes në moshë pune. Për aplikimet afati nuk është i limituar, çka do të thotë se pensionistët mund të paraqiten në çdo kohë për të dorëzuar dosjen me dokumentet që kërkohen.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ndeshja Erzeni – Kukësi u shty për të hënën

Story i radhës

Rusia tregon momentin kur nis “Lufta e Tretë Botërore”

Të fundit nga