Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, pritet të zbulojë detaje “të papritura” në seancën që mbahet sot pasdite. Kjo ka gjasa të jetë seanca e fundit publike përpara zgjedhjeve për Kongresin që mbahen në nëntor, të cilat përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti në detyrë.
Komisioni pritet të paraqesë prova të reja nga Shërbimet Sekrete lidhur komunikimet e tyre atë ditë me ish-presidentin Donald Trump.
Komisioni pritet të botojë një përbledhje të gjetjeve të tij përpara fundit të këtij viti.
Sipas anëtarëve të komisionit zoti Trump, pasi humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nisi një përpjekje të pashembullt për të penguar Kongresin që të çertifikojë fitoren e Joe Biden-it. Kjo rezultoi me një sulm të dhunshëm ndaj Kapitolit, shoqëruar me viktima.
Seanca e të enjtes pasdite, që shënon të 10-tën seancë publike të komisionit, pritet të përqëndrohet në “gjendjen emocionale” të zotit Trump atë ditë dhe rolin qendror që ai luajti në përpjekjen shumëplanëshe për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, sipas një ndihmësi të komisionit që foli pa u identifikuar.
Zoti Trump, pasi humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nisi një përpjekje të paprecedentë për të penguar Kongresin që të çertifikojë fitoren e Joe Biden-it. Rezultati ishte dhuna në Kapitol, që rezultoi me viktima.
“Turma udhëhiqej nga disa grupe ekstremiste, ata komplotuan paraprakisht se çfarë do të bënin”, tha për rrjetin televiziv CNN ligjvënësja demokrate Zoe Lofgren, anëtare e komisionit. “Këta individë, njiheshin nga njerëz të rrethit të Trump-it”, shtoi ajo.
Mbledhja e komisionit zhvillohet në një Kongres pothuajse bosh për shkak të zgjedhjeve. Disa nga personat, në mesin e mijërave atyre që ishin mbledhur përreth Kapitolit më 6 janar, konkurrojnë tashmë për një vend në Kongres, një pjesë gëzojnë mbështetjen e zotit Trump.
Seanca do të shërbejë për argumentet përmbyllëse të dy ligjvënësve të vetëm republikanë të këtij komisionit, Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, të cilët nuk gëzojnë më mbështetje as nga zoti Trump, as nga partia e tyre. Ata nuk pritet të jenë më anëtarë të Kongresit, pasi zonja Cheney humbi zgjedhjet paraprake, ndërsa zoti Kinzinger vendosi të mos rikandidojë.
Një tjetër anëtare e komisionit, ligjvënësja demokrate Elaine Luria, ish pjestare e forcave të Marinës, pritet të përballet në një garë të fortë për rizgjedhjeje, kundër senatorit të shtetit të Virxhinias Jen Kiggans, një ish-pilot i Marinës.
Ndryshe nga seancat e kaluara, sot nuk pritet të ketë dëshmi që do të transmetohen drejtpërdrejtë, megjithëse komisioni pritet të ndajë informacione nga intervistat e tij të fundit, përfshirë pjesë nga dëshmia e Ginni Thomas, një aktiviste konservatore dhe bashkëshortja e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas. Ajo ishte në kontakt me Shtëpinë e Bardhë përpara se të ndodhte 6 janari.
Po kështu priten informacione të reja rreth lëvizjeve të nënpresidentit të atëhershëm Mike Pence, i cili kryesonte seancën e përbashkët të dy dhomave të Kongresit më 6 janar.
Për javë të tëra komisioni ka qenë në bisedime me Shërbimin Sekret, pasi lëshoi një fletëthirrje për dorëzimin e disa mesazhe telefonike nga ajo ditë. Ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson, tha se një ish-ndihmës i Shtëpisë së Bardhë i kishte thënë se zoti Trump kishte reaguar me zemërim ndaj një punonjësi të shërbimeve sekrete që drejtonte makinën presidenciale, i cili dyshohet se për arsye sigurie nuk kishte pranuar ta çonte ish-presidentit në Kapitol, më 6 janar.
Disa punonjës të Shërbimeve Sekrete i kanë hedhur poshtë deklaratat e zonjës Hutchinson mbi ngjarjen. Ndërkohë mbetet e paqartë nëse do të mund të gjenden mesazhet telefonike që mungojnë, të cilat Shërbimeve Sekrete thonë se janë fshirë gjatë një procesi të përmirësimit të teknologjisë. Seanca pritet të zbulojë detaje të reja nga një numër i madh dokumentesh e provash të siguruara nga Shërbimet Sekrete.
Komisioni planifikon të shfaqë pamje të reja video të tubimit para Shtëpisë së Bardhë të siguruara nga Shërbimet Sekrete. Zoti Trump mbajti një fjalim aty, përpara se të inkurajonte mbështetësit e tij të armatosur, të marshonin drejt Kapitolit dhe sikurse u shpreh ai që të “luftonin me forcë”.
Sipas zëdhënësit të Shërbimeve Sekrete Anthony Guglielmi, agjencia i ka dorëzuar komisionit mbi 1.5 milionë faqe dokumente dhe video survejimi. Komisioni ka zhvilluar 1500 intervista dhe ka siguruar dokumente të panumërta duke arritur të bëjë një hetim të plotë të veprimeve të zotit Trump që nga humbja e tij në zgjedhjet e nëntorit deri në ditën e sulmit ndaj Kapitolit.
“Ai e ka përdorur një gënjeshtër të madhe për të destabilizuar demokracinë tonë”, tha ligjvënësja Lofgren, i cila ka shërbyer si ndihmëse në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë hetimit për shkarkimin e Riçard Niksonit në vitin 1974.
Seanca dëgjimore e kësaj jave pritet të jetë paraqitja e fundit publike përpara zgjedhjeve. Por ndihmësit thonë se hetimi vazhdon. Komisioni i 6 janarit ka kryer hetime për më shumë se një vit. Ai u krijua nga Dhoma e Përfaqësuesve pasi senatorët republikanë bllokuan formimin e një komisioni të ngjashëm me atë që u krijua me 11 shtator, pas sulmeve terroriste të vitit 2001.
Sipas rregullores, komisioni pritet të paraqesë një raport mbi gjetjet e tij, me gjasë në muajin dhjetor. Komisioni shpërndahet 30 ditë pas publikimit të raportit dhe me konstituimin e Kongresit të ri në janar.
Nëse fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët pritet të heqin dorë nga hetimet mbi 6 janarin e të hapin të tjera çështje duke u përqendruar kryesisht tek presidenti Biden, familja dhe administrata e tij.
Të paktën pesë persona humbën jetën më 6 janar, apo si pasojë e kësaj ngjarjeje, përfshirë dhe një mbështetëse të zotit Trump, që u qëllua për vdekje nga Policia e Kapitolit.
Ndaj më shumë se 850 personave janë ngritur akuza nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me sulmin në Kapitol, disa prej të cilësëve kanë marrë dënime me burgim afatgjatë. Disa udhëheqës e bashkëpunëtorë të grupeve ekstremiste si ‘Oath Keepers’ dhe ‘Proud Boys’ janë akuzuar për rebelim./VOA