Komisioni i 6 janarit interviston ndihmësen e ish-Presidentit Trump, Hope Hicks

October 26, 2022
min lexim

Komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ka marrë në intervistë një ndihmëse të hershme të ish-Presidentit Donald Trump, Hope Hicks, tha një person në dijeni të punimeve, i cili kërkoi t’i ruhet anonimiteti.

Intervista e së martës vjen ndërsa hetimet po i afrohen fazës përmbyllëse dhe komisioni ka thirrur ish-Presidentin Trump për një intervistë në javët e ardhshme.

Zonja Hicks nuk luajti rol të rëndësishëm në përgjigjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj rebelimit të 6 janarit 2021, kur qindra mbështetës të ish-Presidentit Trump hynë me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe ndërprenë çertifikimin e fitores në zgjedhje të Presidentit Joe Biden. Ndihmësja e hershme në fushën e komunikimeve e ish-Presidentit Trump vazhdonte të punonte në atë kohë në Shtëpinë e Bardhë, por u largua në ditët në vijim.

Sidoqoftë, zonja Hicks ishte një nga ndihmëset më të besuara të ish-Presidentit Trump. Dhe ajo ishte e përfshirë në shkëmbimet e mesazheve me celular dhe nëpërmjet postës elektronike ditën përpara mbajtjes së fjalimit të ish-presidentit jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe përpara se të fillonte dhuna, njoftoi kanali CNN, pasi mori kopje të mesazheve të dorëzuara nga ish-shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows.

Zonja Hicks duke mbërritur në Kongres gjatë kohës që ishte Drejtore e Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë (Uashington, 27 shkur 2018)

Zonja Hicks është përfshirë edhe më parë në proceset hetimore ndaj ish-shefit të saj. Ajo ishte dëshmitare kyçe në hetimet për Rusinë të ish-prokurorit të posaçëm Robert Mueller, duke i dhënë informacion të rëndësishëm zyrës së tij për përpjekjet e ish-Presidentit Trump për ta penguar atë hetim. Ajo megjithatë refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për periudhën që punoi në Shtëpinë e Bardhë, pyetje të drejtuara nga ligjvënësit demokratë që po hetonin ish-presidentin në vitin 2019, pasi ishte publikuar raporti i Prokurorit Mueller.

Marrja në intervistë e zonjës Hicks u raportua fillimisht nga gazeta “The New York Times”.

Gjatë seancave dëgjimore të komisionit (13 tetor 2022)

Komisioni i 6 janarit ka intervistuar mbi 1 mijë dëshmitarë, përfshirë ndihmësa të shumtë të Shtëpisë së Bardhë, dhe ka konkluduar se ish-Presidentit Trump i ishte thënë në mënyrë të përsëritur nga disa prej këshilltarëve të tij më të afërt se i kishte humbur zgjedhjet e vitit 2020. Por, ai vazhdoi të përhapë pretendimet e pavërtetuara për manipulime të gjera elektorale, pretendime të cilat përsëriteshin nga mbështetësit e tij që hynë me forcë në Kapitol.

Komisioni i përbërë nga nëntë ligjvënës i dërgoi një letër avokatëve të ish-Presidentit Trump javën e kaluar, ku kërkohet dëshmia e tij, qoftë në Kapitol ose nëpërmjet një video-konference, duke filluar nga data 14 nëntor dhe duke vazhduar për disa ditë, nëse do të jetë e nevojshme. Letra gjithashtu paraqet një kërkesë të gjerë për paraqitje dokumentash, përfshirë komunikimet personale mes ish-Presidentit Trump, ligjvënësve dhe grupeve ekstremiste.

Ish-Presidenti Trump ende nuk i është përgjigjur fletëthirrjes.

Komisioni mbajti nëntë dëgjesa publike këtë vit dhe pritet të dalë me një raport përfundimtar deri në fund të vitit./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Urimi për ditëlindje flet vetë për marrëdhënien e Zaiminës me vajzën e bashkëshortit

Story i radhës

Sot miqësorja me Arabinë Saudite, Reja eksperimente me lojtarët e Superiores

Të fundit nga

ShkoLartë