Maqedonia e Veriut merr 65.7 milionë euro nga Komisioni Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje.
“Kjo vjen pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat e reformave të zbatuara në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe arsimit dhe digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut. Me publikimin e sotëm, shuma totale e lëshuar në kuadër të Instrumentit përkatës, sipas pakove të tyre përkatëse, arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e KE-së.
Komisioni Evropian njofton se në Maqedoninë e Veriut, reformat e vlerësuara përfshijnë masa për përmirësimin e financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe masa për zgjerimin e qasjes në infrastrukturën digjitale dhe pajisjet IT në shkolla. Nga 65.7 milionë eurot e disbursuara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa e mbetur e mjeteve do të vihet në dispozicion për projekte investuese përmes WBIF-it.
“Mjetet e dedikuara për WBIF-in, pasi të miratohen nga bordi i WBIF-it, do të mbështesin projekte infrastrukturore në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, digjitalizimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Projektet do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, thuhet në njoftim e KE-së.
Burimi: lajmpress.org


