Në pikën kufitare në Moravita, pengohet Kombëtarja e Kosovës që të futet në Hungari dhe kthehet pas në orën 04.00 të mëngjesit!
Arsyeja e policisë serbe ishte banale, si gjithmonë: Nuk i njohim pasaportat e shtetit të Kosovës.
Bahri Gjinovci, kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, tregon dramën e mëngjesit në kufi dhe si u kthyen vashat dhe djemtë tanë.
”Po, në ora 04.00 në mëngjes nuk i kanë lanë me hy në Hungari. Kjo ka qenë më shumë politike. Thjesht ju kanë thënë nuk mundeni me kalu, duke dhënë arsyetime që nuk qëndrojnë fare. Kjo ka ndodhur në një pikë tjetër kufitare Moravita.
Pas insistimit të madh që me kalu andej në fund ju kanë thënë që duheni mu kthye se nuk mundeni me kalu andej”, tregon Gjinovci për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Gjinovci tha se kontaktuan organizatorin e garës dhe Federatën e Volejbollit Ballkanik, duke kërkuar se gjithqysh duhen të shkojnë në Kampionatin Ballkanik në Beach Volley U20, kjo edhe pati efektin.
“Ishte rrugë e gjatë dhe pak e mundimshme.
Po ne ishim këmbëngulës që të marrim pjesë në këtë aktivitet”, thotë Gjinovci.
Ekipet nisën rrugëtimin për në Rumani përmes kufirit me Bullgarinë dhe kaluan pa problem, megjithatë shqetësimet ishin të mëdha.
Kombëtarja e Kosovës do të ketë dy ekipe përfaqësuese në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë për grupmoshën U20 që do të zhvillohet në Rumani – dyshen Yllka Jashari/Melirona Avdullahu e drejtuar nga trajnerja Vildane Jashari, në konkurrencën e femrave, dhe Erion Bajrami/Albi Macula, e drejtuar nga Faton Mustafa, te meshkujt.