Kodi i ri Penal do t’i dënojë më pak personat që abuzojnë seksualisht me fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Ndonëse fokusi i ndryshime u vu tek zbutja e dënimeve për shpërdorim me detyrën zyrtare, ekspertët vlerësojnë se ulja e dënimeve për këtë kategori është alarmante. Profesoresha Besa Kadriu gjatë intervistës në Alsat tha se këto ndryshime janë bërë pa një analizë të mirëfilltë profesionale juridike.
“Unë vlerësoj se kjo nuk ka një bazë të fortë profesionale dhe juridike. Kjo dëshmon jo seriozitetin dhe kjo nënkupton se krijohen ligje sa për sy e faqe. Vetëm dëgjohet thënia se duhet përshtatet ligjet me BE, por asgjë të mos ketë të bëjë me rrethanat faktike ose reale”, deklaroi Besa Kadriu, Profesoreshë.
Neni 188 i Kodit Penal do të dënojë personat që abuzojnë seksualisht më fëmijët e mitur me të paktën 8 vite burg. Kjo masë paraprakisht ishte për 50 për qind më e lartë, përkatësisht 12 vite burg.
Dispozitat lehtësojnë edhe dënimet për abuzuesit që veprën e kryejnë duke lënë për pasojë lëndime trupore ose akti i tyre shkakton vdekje tek viktimat e abuzimit, masë kjo e cila në Kodin e vjetër parashikon të paktën 15 vite burg deri në burg të përjetshëm.
Dispozitat e reja bien ndeshë me Konventën mbi të drejtat e fëmijës miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në nëntor të vitit 1989.
“Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese”, thuhet në nenin 3 të kësaj konvente. /Alsat.mk