Skuadra gjermane Leipzig mbrëmë i ka shkaktuar disfatën e parë Real Madridit këtë sezon të garave.
Leipzig mundi kampionët në fuqi të Evropës (3-2), në kuadër të fazës së grupeve në ligën më të madh në Evropë.
Trajneri i ‘Los Blancos’ Carlo Ancelotti pas ndeshjes, ka thënë se dy golat e para e vendosen ndeshjen. Sipas tij, Leipzig e deshi më shumë fitoren.
“Kemi pësuar dy gola me topin e ndaluar. Më pas ndeshja u kanalizua në dinamikën që kërkonin rivalët. Si rrallë në këtë sezon kemi vuajtur në kundërsulmet e tyre. Unë mendoj se vendimtarë për fatet e takimit ishin dy golat e parë”, ka thënë Ancelotti.
Ai e pranon se nuk i ka pëlqyer humbja e parë këtë edicion të garave. Ancelotti është i bindur se Reali do ta mbyll fazën e grupeve në vendin e parë.
“Ishte një humbje që natyrisht nuk na pëlqen. Por tani kemi mundësinë që të fitojmë takimin e fundit në fushën tonë dhe ta mbyllim në vendin e parë në grup. Sa për humbjen e parë, herët e a vonë do të vinte ajo ditë. Por nuk mund të shohim prapa. Gjithsesi nuk kam ndër mend të kritikoj një skuadër që ka bërë një sezon të shkëlqyer deri më tani”, ka theksuar Ancelotti.