Policia ka arrestuar dy persona të cilët u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes.
Dy personat kishin marrë 8 emigrantë në automjetin e tyre ‘Range Rover’, disa në sediljet e pasme dhe shumicën prej tyre i kishin futur në bagazh.
Dy të rinjtë iu kishin premtuar emigrantëve, kalimin në vendet e BE kundrejt pagesës.
Qarku Korçë
Vijon operacioni policor “Perimetri 185”.
U kapën duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Korçë dhe Maliq, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. K., 22 vjeç, banues në Durrës dhe S. K., 22 vjeçe, banuese në Roskovec, Fier.
Shërbimet e Policisë kanë kapur shtetasin G. K., në aksin rrugor Maliq-Lozhan, duke transportuar me mjetin tip “Range Rover”, në bashkëpunim me shtetasen S. K., 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.