Sot dita më kaloi në Luginë të Preshevës, ku nga afër ndoqa derbin KF Tërnoci dhe KF Lugina, dy klubet e vetme shqiptare që garojnë në Ligën e Rrethit të Nishit (Liga e katërt në Serbi).
Ftesës së mikut tim Nexhat Behluli, pronar i TV Spektri nga Bujanoci, iu përgjigja pozitivisht, duke patur me vete edhe futbolldashësin e madh dhe jo vetëm, mikun tim, Taxhedin Nuredini, i cili jeton dhe vepron në Belgjikë.
Ndeshja që i takonte javës së 6-të në Ligën e Rrethit të Nishit përfundoi me rezultat 4-1 për vendasit. Unë kësaj radhe nuk do të ndalem dhe të raportoj për lojën dhe rezultatin, por të rrëfejë për emocionet e shumta që mora nga kjo përballje.
Derbi shqiptarë në Luginë sot kishte zgjuar interesim të madh tek sportdashësit e futbollit, të cilët kishin ardhur ta ndjekin sfidën nga e gjithë Lugina, mes tyre edhe vajza.
Ndeshja KF Tërnoci-KF Lugina për mua ishte më shumë se një ndeshje futbolli.
Për mua këto dy klube po e ruajnë shqiptarinë në Luginë të Preshevës dhe kjo është vlerë kombëtare. Andaj i bëj thirrje drejtuesve të FSHF-së dhe FFK-së që t’i kthejnë sytë pak nga këto dy klube, t’ju japin mbështetje, t’ju qëndrojnë afër, t’i inkurajojnë, sepse e vërtetë e meritojnë.
Gjithashtu, i bëj thirrje edhe kolegëve të mi gazetarë sportiv të mediave në Kosovë dhe Shqipëri që së paku në derbi t’ju përgatisin ndonjë kronikë, sepse ia vlenë.
Duke iu ofruar mbështetje iu tregojmë atyre se nuk janë vetëm.
Për fund i përgëzojë KF Tërnoci dhe KF Lugina për vlerat shqiptare që po tregojnë në ligën ku garojnë. Janë krenaria kombëtare në Luginë të Preshevës.
Përgëzime edhe TV Spektri nga Bujanoci që transmetoi ndeshjen në fjalë drejtpërdrejt për të gjithë shikuesit e vet në Luginë dhe Diasporë.