Kërkohet më shumë angazhim për të pagjeturit e luftës

April 27, 2022
min lexim

Në Kosovë, sot shënohet Dita e të Pagjeturve, ditë kjo e cila simbolizon 27 prillin e vitit 1999, kur në fshatin Meje të Gjakovës, ka ndodhur masakra e madhe kundrejt civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare policore dhe ushtarake serbe. Atë ditë, forcat serbe kishin ndarë 376 civilë shqiptarë nga kolonat e të përndjekurve nga shtëpitë e tyre, të cilët më pas ishin zhdukur pa gjurmë.

Zejnepe Xhemajlaj nga fshati Rracaj,  kujton tmerrin e asaj dite, kur në Meje vetëm nga familja Beqaj  janë vrarë 24 presona  nga forcat paramilitare policore dhe ushtarake serbe. Zejnepja aty ka humbur burrin dhe djalin.

” E kam burrin, djalin, është edhe baca Hasan.”, tha ajo.

Edhe Selim Zyberi nga fshati Mulliq në Mejë, ka humbur familjarët e tij. Ai thotë se nga kjo masakër, ende mbesin 16 persona të zhdukur.

“Janë edhe 16 persona të zhdukur, Ata mund të jenë ne ndonjë varr masiv në Kosovë”, tha ai.

Haki Sadrija, drejtues i Shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur “27 Prilli” në Mejë, për Radio Kosovën tha se përkujtimi i kësaj dite, për familjarët e personave të vrarë në këtë vend, është i rëndë, por megjithatë, ajo që i ngushëllon familjarët, sipas tij, është fakti se numri më i madh i atyre që ishin ekzekutuar në masakrën e Mejës, tashmë janë gjetur dhe mbetjet mortore të tyre u janë kthyer familjarëve. Sadrijaj thotë se rasti i Mejes, sot e kësaj dite, është enigmë ku askush nuk jep informacione dhe ende kriminelët nuk janë sjellë para drejtësisë.

“Kemi me emra dhe mbiemra të deponuar por asnjë nuk është sjellë para drejtësisë. Kemi rastin e eprorëve ushtarakë të fshatit Korenicë familja Micunoviq. Përzgjedhjen e njerëzve në masakrën e Mejës e kanë bërë bashkëfshatarët tanë”, tha ai.

Sadrijaj flet edhe për problemin e kompleksit memorial dhe varrezave të cilat kanë filluar të dëmtohen. Ai thotë se kompleksi, si pjesë e varrezave është përfunduar, përveç 21 personave ende të paidentifikuar. Ai thotë se është bërë një punë ad hoc.

“Sa herë që ka reshje atmosferike kemi shembje të varrezave, duhet me intervenua  se pse ato thuaja se po fundosën. Edhe amfiteatri ka filluar të qahet”, tha ai.

Mbi 1 mijë e 600 persona, të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës, akoma konsiderohen të zhdukur. Sot pas 23 vjetësh në liri, për shumë familje në Kosovë, koha sikur është ndalur.  Të mësuar pothuajse çdo ditë me përvjetorë vdekjesh,  ata presin zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të cilët konsiderohen të zhdukur.

Ahmet Grajcevci nga Asociacioni i Familjarëve të Personave të Zhdukur, shprehet se Beogradi nuk do t’i tregoj asnjëherë vendndodhjen e varrezave masive, por me një trysni të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare, një gjë e tillë edhe mund të arrihet.

“Para një kohe jo fort larg Ivica Daçiq dhe presidenti Vuqiç i kanë kërcënuar dëshmitarët për tregimin e vend varrezave në Serbi. Kjo është dëmi më i madh i një shteti se kur do të arrin demokracinë dhe të lirohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi”, tha ai.

Shoqatat e familjarëve të zhdukur i bëjnë thirrje  bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj institucioneve të Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, para se gjithash për të hapur arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe për të ofruar informatat mbi fatin dhe vendndodhjen e qytetarëve të zhdukur.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Sekuestrohet heroinë e kanabis e përpunuar në çokollatë në Shqipëri

Story i radhës

Serie A, Interi synon kreun e tabelës me fitore kundër Bolognas

Të fundit nga

Vdes stilisti Menduh Mullaademi – Menda

Sot është ndarë nga jeta stilisti i shquar, Menduh Mullaademi – Menda. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij në rrjetin social, Facebook. “Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se
ShkoLartë