Duke shprehur konsideratën më të lartë dhe respektin për Ju, lutemi pranoni urimet tona të sinqerta për suksese në punën tuaj fisnike si Kryetare e Shtetit të Kosovës.
E Nderuara Presidente nëse keni mundësi dhe të gjeni kohën për të na pritur.
Besoj se duke u nisur nga ndjenja njerëzore e mirenjohjes, e moralitetit human dhe nga ajo e funksionimit dhe të përgjegjsisë institucionale do ta pranoni kerkesen tone minimale për një takim me Ju, të paktën në respekt edhe të atij kontributi të jashtëzakonshëm që ka dhënë familja jonë për lirinë dhe shtetin e Kosovës, pasi si ka mundësi qe edhe me pare kemi kerkuar takim me Ju por që as përgjigje prej muajsh nuk kemi marrë.
Apo ndoshta stafi i ngushtë pranë jush i skualifikon kërkesat e qytetarëve që kërkojnë takim me Ju, e që prandaj po ua dërgoj këtë kërkesë publikisht, apo kushedi cfarë tjetër e ndoshta a mos duhet të gjesh mik e shok për të ndërhyrë për të na pritur në institucioni që Ju drejtoni.
Ju kujtojmë faktin se shikoni se si Kroacia respekton aq shumë të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuar për lirinë e saj, si dhe shikoni se si Ukraina po respekton në maksimum të gjithë ata të cilët shkojnë në luftë dhe kontribuojnë kundër pushtuesit rus.
Ju jeni Presidente falë votës së popullit, por më shumë këtë mundësi ta kanë dhënë dhe të ka ardhur falë atyre të cilët kanë kontribuar aq shumë për Kosovën ,ku ndër ta është edhe familja jonë, që kërkon takim me ju. Shpresojmë që do ta merrni në konsideratë kërkesën tonë.
Pavarësisht se na njihni, por më poshtë po ua dërgojmë edhe atë se cfarë ka botuar gazeta patriotiko-kombëtare, me e vjetra gazetë shqiptare, gazeta “Dielli” që del në SHBA:
Kapitët e Durrësit dhe liria e Kosovës
4 dhjetor 2021
Nga Vaso Papaj
Shkrim me rastin e pervjetorit të mobilizimit të Përgjithshëm për përballimin e ofensives serbe për Çlirimin e Kosovës sipas Urdhërit nr. 151 dt. 31 03 1999 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: … 1) Mobilizimi e përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të fillojë me datën 01.04.1999.
Dhe pikërisht po me 01 04 1999 u ngrit dhe filloi nga funksionimi Qendra Kryesore e Mobilizimit te UÇK-së te “Drenica” e Gani KAPITIT, e cila së bashku me Ganiun dhe gjithë familja e patriotit Sadri KAPITI kanë hyrë në historinë tonë gjithkombëtare për atë punë dhe vepër të vyer dhe shumë të rëndësishme kombëtare që është bërë prej tyre në vitet e Lavdisë sonë Kombëtare, të Luftës dhe të Qëndresës së madhe të popullit shqiptar kundër makinerisë shtetërore kriminale, terroriste dhe genocidiste të Serbisë.
Jemi të gjithë dëshmitarë se si te “Drenica” e Durrësit buzë detit, pronë e Gani KAPITIT arritën me mijra luftëtarë shqiptare nga diaspora dhe trojet shqiptare dhe iu bashkangjitën UÇK-së për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Qëndra e mobilizimit “Drenica” e Gani Kapitit u bë edhe epiqendra mediatike ndërkombëtare pasi aty mbërrinin çdo ditë reporterë e gazetarë nga e gjithë Europa, SHBA, Kanada etj., dhe që nga aty ndërkombëtarizohej si kurrë më parë çështja kombëtare shqiptare, sidomos ajo e Kosovës shqiptare dhe lufta e drejtë dhe heroike e popullit martir të Kosovës për liri e të drejtat kombëtare, për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.
Në një kohë rekord aty u grumbulluan dhe mobilizuan me qindra e mijra luftëtarë të lirisë.Së bashku me “Drenicën” vëllezërit e tjerë të Gani KAPITIT iu bashkangjitën UCK-së duke vënë në dispozicin të mobilizmit edhe dy lokalet e tjera në Plazhin e Durrësit afër Drenicës, Lokalin “KOSOVA “ të Naimit dhe atë “KAPITI” të Fatmir KAPITIT
Kjo ngjarje të sjellë në kujtesë atë zbarkim të ushtarëvë amerikanë e britanikë në Normandi në Qershor të vitit 1944 për çlirimin e popujve të Europës nga nazizmi.
Kështu me 24 Mars 1999 aleanca euroatlantike e NATO-s e udhehequr nga SHBA, pas 57 vitesh të atij zbarkimi qe çoi në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Perendimi me 24 Mars 1999 ndërmori një veprim, një ndërhyrje vendimtare çlirimtare për popullin shqiptar të Kosovës kundër krimeve barbare, pastrimit etnik dhe kundër genocidit serb mbi popullsine shqiptare të Kosovës, ndëhyrje ushtarake e cila çoi ne kapitullimin dhe dorëzimin e Serbisë dhe Çlirimin e Kosovës me 12 Qershor 1999.
Një javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ishJugosllavi “Drenica” e Durrësit u bë qëndra e pritjes dhe mobilizimit të vullnetarëve shqiptarë por edhe të huaj që iu bashkangjitën UÇK-së, këmbësorisë së NATO-s, për çlirimin e Kosovës
Ushtria vrastare serbe dhe bandat gjithfarëshe kriminale paramilitare kriminelësh, plaçkitësish e hajdutësh të mbështetura nga shteti kriminal serb dëbuan mbi 900 mijë shqiptarë të Kosovës nga Atdheu i tyre, mbi 500 mijë të tjerë ndiqeshin e vriteshin nëpër male e pyje, mbi qindra e mijra fshatra e qytete u dogjën dhe u shkatërruan ashtu sikurse kishte bërë edhe më parë dhe gjithmonë harbutëria, verbëria, shovinizmi dhe genocidi serb në Toplicë dhe në Kosovë edhe më parë.Pa ndërhyrjen e NATO-s barbaria kriminale serbe do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën me djegie e shkatërrim, me dëbim, me krime, me vrasje e me shfarosje të shqiptarëve.
Kundër shtetit, ushtrisë dhe kundër makinerisë çnjerëzore, kriminale dhe genocidiste serbe luftonte heroikisht populli shqiptar dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Por me fillimin e bombardimeve të NATO-s, shpresa për lirinë e Kosovës ishte dhe u bë më madhe dhe më e sigurtë si kurrë më parë. Në këto rrethana të reja historike që për herë të parë në histori ishin në favor të shqiptarëve pasi kësaj radhe përkrah shqiptarëve ishte bota demokratike perendimore dhe aleanca më e madhe ushtarake botërore, NATO e udhëhequr nga SHBA. Kjo ishte garanci dhe që u dha shqiptarëve guximin, shpresën dhe sigurinë se më në fund do të shpartallohej Serbia , dhe se do të merrte fund kolonializmi kriminal e çnjerëzor serb mbi Kosovën.
Në këto rrethana të reja u bë e mundur që mijra e mijra shqiptarë nga diaspora dhe perendimi të linin rehatinë e perëndimit dhe të ktheheshin në Kosovë, në atdheun e tyre dhe të të parëve të tyre për të luftuar për lirinë e atdheut, për çlirimin kombëtar dhe me qëllimin e madh për ndarjen përfundimtare me Serbinë dhe për Bashkimin Kombëtar të shqiptarëve.
Këta mijra luftëtarë të lirisë mbërritën te “Drenica”e Durrësit.
Te “Drenica” në Durrës 22 vite më parë,në Prill 1999 mbërriti edhe Batalioni “Atllantiku” nga SHBA
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: “Po, që nga aeroporti Rinas e deri në fund të qëndrimit në malin Pashtrik. Prej Rinasit ikëm për në Durrës, ku tek restoranti “Drenica”, aktivistët e logjistikës së UÇK-së na e shtruan një drekë. Menjëherë vluan gazetarët nga mbarë bota, ndër to edhe më prestigjiozet amerikane, angleze, franceze, spanjolle, turke dhe shumë të tjerë, të cilët nëpërmjet të pyetjeve të tyre, e regjistruan entuziazmin dhe vendosmërinë e fuqishme të vullnetarëve të Amerikës, për t’u dalë zot trojeve të tyre etnike.
Kjo ngjarje e madhe historike gjithshqiptare, Lufta e drejtë, patriotike dhe heroike e luftëtarëve të UÇK-së si dhe ndërhyrja e NATO-s e ndërkombëtarizuan botërisht si asnjëherë tjetër në Historinë e shqiptarëve Çështjen Kombëtare shqiptare. Luftëtarët e lirisë së Kosovës para 22 vitesh zbarkuan në Durrës, te “Drenica”e Durrësit që vinin nga perendimi i lirisë dhe i demokracisë për t’i sjellë lirinë, pavarësinë, shtetësinë dhe demokracinë Kosovës dhe popullit shqiptar të saj, ku si aleat tashmë shqiptarët kishin edhe shtetet më të fuqishme të botës demokratike dhe aleancën më të madhe ushtarake të botës, NATO-n.
Tashmë bota, opinioni botëror po njihej për tragjeditë dhe padrejtësitë që Europa kishte bërë mbi shqiptarët dhe mbi trojet shqiptare, për intrigat dhe për pazaret e fuqive të Europës mbi trojet shqiptare bërë në të kaluarën. Bota dhe civilizimi perendimor tashmë po shikonte me sy masakrat dhe barbaritë çnjerëzore të ushtrisë serbe mbi popullin shqiptar, që deri atëhere prej 100 vitesh perendimi kishte heshtur dhe kishte qëndruar indiferent ndaj Serbisë dhe aleates së saj Rusisë për ato tmerre që kishin shkaktuar mbi 100 vite mbi popullin martir të Kosovës.
Në Prill të Vitit 1999 “Drenica” e Durrësit e Kapitëve ishte “vatra më e madhe gjithshqiptare”, si një “Besëlidhje e Madhe” shqiptare në vitin 1999 në fundin e mijëvjeçarit te dyte, si një ngjarje bashkimi gjithshqiptar në shërbim të UÇK-së, Ushtrisë më të re në Europë dhe të luftës për lirinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës , krijimin e shtetit të ri shqiptar të Kosovës.
Këtë vit mbushen 22 vite që kur te “Drenica”e Durrësit u bë pritja dhe mobilizimi i madh i luftëtarëve të lirisë të cilën shumë personalitete të mëdha të historisë, letërsisë, akademisë dhe shoqata shkrimtarësh, poetesh, invalidë e veteranë të luftës, opinionistë e gazetarë shqiptarë dhe të huaj, politikanë e mediatikë e kanë quajtur, “tempull atdhedashurie dhe lirie”, “kështjellë e fortesë”, “monument historie”, “muze përjetësie” etj.
Bedri Tahiri: Z. Xhevahir, pse DRENICA e Durrësit dhe luftëtarët e lirisë, madje edhe vetë dëshmorët dhe familjet e tyre, as sot e kësaj dite, sidomos këtu në Shqipëri, nuk trajtohen si duhet dhe nuk e kanë vendin e merituar?
Akademik Xhevahir Spahiu: Kjo qendër mobilizimi , e propozuar për muze nga poeti Moikom Zeqo, mund të themi se vetvetiu është kthyer në një lloj Tempulli. Këtu vazhdimisht vijnë poetë dhe shkrimtarë nga Tirana, nga Prishtina, nga Shkupi, nga diaspora, shpesh edhe të huaj, intelektualë që i bashkon qenësia shqiptare, gjuha, gjaku, kultura, mbijetesa, ardhmëria. Me sa kam marrë vesh këtu më së paku, për të mos thënë fare, vijnë politikanët.
Për këtë kontribut të madh e të jashtëzakonshëm për cështjen kombëtare, për lirinë e Kosovës, Kapitët e Durrësit, familja e Sadri Kapitit, meritojnë respekt e mirënjohje nga të dy shtetet shqiptare
Autori V.Papaj – ish Kryetar i Qarkut Durrës, ish-Prefekt i Dibrës dhe ish-Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale Qarkut Durrës; publicist dhe shkrimtar.
Dhe besoj se do të gjeni kohë për ta na pritur e nderuara Presidente!