Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas dhunës dhe përleshjes fizike që ndodhi ndërmjet deputetëve të opozitës dhe pushtetit sot në Kuvendin e Kosovës.
“Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës. Një Kuvend, puna parlamentare e të cilit është mbushur me fyerje e ofendime, pa debate përmbajtësore, kulmoi sot në skena të shëmtuara të konfrontimeve fizike. Imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare, të cilës të gjithë aktorët politikë parlamentar, pa dallim, duhet të mos i kontribuojnë”, thuhet në reagimin e KDI-së.
“U bëjmë thirrje të gjithë partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të distancohen nga kjo klimë dhune që prodhoi skena të papranueshme brenda Kuvendit. Dhuna, asnjëherë, përballë çfarëdo situate nuk mund të jetë mjet politik dhe në asnjë kontekst nuk mund të përligjet sikurse kjo e sotshmja”.
“Po ashtu, kërkojmë nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj ndaj aktorëve të përfshirë në dhunë”, thekson reagimi.