Katër shtete hapin sezonin e dytë të Javëve Kulturore, në Tiranë në shtator edhe Rita Ora

min lexim

Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e dytë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të jenë Britania (1-11 shtator), Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator – 2 tetor). Lajmin e bën me dije ministrja e Kulturës Elva Margariti që shkruan në rrjetin social Facebook se festa rifillon së shpejti, por sipas saj pjesë e aktiviteteve është dhe koncerti i këngëtares Rita Ora.

“Koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, koncerti i shumëpritur i këngëtares së njohur ndërkombëtarisht Rita Ora si dhe një mori aktivitetesh të tjera do të na përfshijnë të gjithëve përgjatë muajit shtator!”, shkruan ministrja Margariti në Facebook.

Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në datën 25 prill nisën Javët Kulturore Ndërkombëtare dhe u pohuan si një paradë ku marrin pjesë 18 vende. Javët kulturore nisën me francezët, për të vijuar me radhë me një program të unifikuar nën siglën e Bashkimit Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britani e Madhe, Suedi, Egjipt, Kinë, Gjermani, Japoni, Austri, Turqi, Hungari, Emiratet e Bashkuara Arabe, e duke e përmbyllur me gjysmën tonë Kosovën, që kulmon në festat tona kombëtare.

Në konferencën për shtyp mbajtur më parë për prezantimin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare (JKN), ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se do të sjellin kultura nga kontinente të ndryshme, do të angazhojnë shumë të rinj. Por sipas saj, do t’i shërbejnë bashkëpunimit mes vendeve dhe do të gjallërojnë edhe më tej jetën artistike.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mot me vranësira dhe reshje shiu sot në Maqedoni

Story i radhës

KE: “Pasaportat e arta” të qeverisë Rama i hapin dyert krimit të organizuar

Të fundit nga