Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrari kë bërë të ditur se kjo komunë është në gjendje alarmante shkaku i mungesës së energjisë elektrike.
Ai bëri të ditur se qytetarët e Malishevës kanë paralajmëruar për një protestë gjatë ditës së sotme, ku sipas tij ata do të shprehin mllefin e tyre sa i përket nevojës për energjinë elektrike.
“Në komunën e Malishevës ekziston një gjendje alarmante, e jashtëzakonshme e mungesës së energjisë elektrike në të gjashtë daljet që i ka kjo komunë. Qytetarët e Malishevës ka vite e vite që ballafaqohen me problemin me furnizim me energji elektrike, e sidomos ky dimër, ku temperaturat janë ulur në mënyrë të shpejt, prandaj dhe konsumi dhe kërkesa për energji elektrike është shumë më e madhe, kështu që një numër i madh i banorëve tanë nuk kanë energji elektrike. Kemi reduktime të mëdha dhe prishje në zona të ndryshme, kur rrjeti i transmetuesve të energjisë elektrike është shumë i vjetër, kështu që një numër i madh i këtyre përçuesve po dëmtohen”, tha Kastrati për emisionin “Ora Shtatë” .
“Qytetarët kanë paralajmëruar që sot do të mbajnë një protestë, e sigurisht që do ta shprehin përmes protestës mllefin e tyre dhe ankesën apo nevojën e tyre që e kanë për energjinë elektrike”.
Burimi: botasot.info