Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij gjatë themelimit zyrtar të partisë në Tetovë, deklaroi se bashkimi i pesë subjekteve politike në një forcë të vetme përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit politik dhe përfaqësimit më të mirë të shqiptarëve.
“Sot po ndërmarrim një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin historik për bashkimin dhe konsolidimin e VLEN-it. Pesë subjekte u bashkuam në një. Dhe kjo përkthehet në artikulim më të qartë e më të mirë të kërkesave të qytetarëve tanë, në përfaqësim më të mirë të shqiptarëve dhe në më shumë punë për zhvillimin e shoqërisë sonë”, tha Kasami.
Ai vlerësoi se koalicioni, ndonëse në proces bashkimi dhe konsolidimi, ka arritur rezultate të rëndësishme gjatë dy viteve të fundit në pushtet.
“Për 24 muaj, arritëm të zgjidhim probleme, të ndërtojmë e të zhvillojmë politika më shumë sesa kishin bërë ata para nesh për 24 vjet”, deklaroi ai.
Kasami renditi një sërë projektesh dhe çështjesh që sipas tij janë zgjidhur ose avancuar nga VLEN-i, duke përmendur ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave të medresesë, projektet infrastrukturore dhe investimet në shëndetësi.
“Edhe pse ishte ndër pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, ata për 24 vjet nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ne po e bëjmë për 24 muaj”, tha Kasami.
Ai shtoi se është avancuar edhe procesi për organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“I kishin gjashtë ministra të Drejtësisë, e kishin kryeministrin dhe gjysmën e qeverisë, por nuk e bënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe për 24 vjet. Ne po e bëjmë për 24 muaj”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Kasami përmendi edhe Korridorin 8, rrugën Shkup–Bllacë, sistemin One Stop Shop me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe investimet në spitalet e Tetovës dhe Kërçovës.
“Projektin për Korridorin 8 e kishte mbuluar pluhuri në sirtarët e qeverisë për 24 vjet. Ne kemi punuar intensivisht në këto 24 muaj”, tha ai.
Duke folur për zhvillimet në Tetovë, Kasami tha se gjatë mandatit të tij janë realizuar investime të rëndësishme infrastrukturore.
“Tetovën e lanë në gropa, pa investime dhe zhvillim për 24 vjet. Ne i transformuam rrugët, bulevardet, shkollat e sallat e sportit dhe po e ndërtojmë stadiumin e ri të qytetit”, u shpreh ai.
Kasami akuzoi kundërshtarët politikë se për vite me radhë kanë qeverisur me “propagandë dhe demagogji”, ndërsa VLEN-in e paraqiti si një alternativë të fokusuar te puna dhe projektet konkrete.
“Faktet janë të qarta dhe kokëforta. Për 24 vjet shqiptarët i qeverisën me demagogji të zbrazët, me propagandë e gënjeshtra. Me ardhjen e VLEN-it, shqiptarët kanë hyrë në epokën e punës, ndërtimit dhe zhvillimit”, deklaroi Kasami.
Në fund, ai u bëri thirrje aktivistëve dhe strukturave të VLEN-it që të promovojnë arritjet e koalicionit dhe të kundërshtojnë, siç tha ai, propagandën politike me fakte dhe rezultate konkrete.
“Ju mbetet juve, rinisë dhe aktivistëve të VLEN-it, t’i dilni zot punës që kemi bërë dhe arritjeve të VLEN-it. Ta demaskoni propagandën boshe me fakte, me punë dhe projekte konkrete”, përfundoi Kasami.
Burimi: alfax.mk


