Karrieristët janë po aq të mërzitshëm sa krimbat. Dhe kur bëhen dikush dhe diçka, ata më së shumti urrejnë njerëzit që ju ndihmuan të arrijnë qëllimin e tyre përfundimtar, sepse ata e njohin më së miri karakterin e tyre të pistë.
Karrieristët janë llumi më i madh i shoqërisë, sepse i mësojnë përmendësh frazat sipërfaqësore populiste, të cilat i përsërisin vazhdimisht si pllakat nga gramafonët e prishur të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit të kaluar, duke e ditur se populli është një tufë e madhe delesh, që nuk kupton pothuajse asgjë nga ajo që i thuhet.
Kur nisa të shkruaj publikisht për çështje të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore në vitin 2008, ju betohem në flamurin me shqiponjën dykrenore, sa herë që vija me pushime nga Gjermania, ndonjë lider i ndonjë partie të rëndësishme ma dërgonte një korrier partie në shtëpi, për të më lutur të shkoj me të në zyrën e tij.
Në vitin 2010, një djalë relativisht i ri që udhëhoqi për shumë vite Vetëvendosjen në Suharekë, erdhi në shtëpinë time, sepse më njihte nga shkolla e mesme.
Pas një bisede relativisht të gjatë në të cilën ai u përpoq maksimalisht të më bindte, shkova me të në degën kryesore të Vetëvendosjes në Prishtinë, nga kureshtja për të parë se si duket partia nga brenda.
Dhe të them të drejtën, as që e di se si brenda pak sekondash më erdhi një ndjesi e çuditshme, se ajo parti mban erën e një sekti enverist, ku të gjithë përgjojnë dhe spiunojnë njëri-tjetrin.
Mirëpo, arsyeja më e madhe pse nuk pranova të bëhesha anëtar në atë kohë, përveç atmosferës së supozuar enveriste, ishin Florin Krasniqi dhe Dardan Molliqaj, të cilët më dukeshin si kllounët e një cirku politik të dorës së tretë, sepse sa më shumë që përpiqeshin të dukeshin interesantë, aq më qesharak dilnin.
Këto oferta nuk u ndalën as kur nisa një analizë gjithëpërfshirëse kritike të funksionimit të partive tona politike, të cilat më shumë më dukeshin si sekte ideologjike apo si banda kriminale, sesa si parti moderne evropiane.
Dhe sa më shumë që kritikoja mungesën e vullnetit të krerëve të qeverive të pasluftës për t’i kthyer bandat e tyre kriminale në parti të dobishme politike që do të justifikonin qëllimin e ekzistencës së tyre, aq më të shpeshta dhe interesante bëheshin ofertat e tyre, natyrisht për të më hequr qafe si zë kritik.
Sigurisht që i refuzova të gjitha, sepse nuk kisha asnjë shpresë për të ndryshuar diçka rrënjësore.
Megjithatë ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes e kam përkrahur më shumë për shkak të liderit të saj, i cili me daljet e tij publike më krijoi besim dhe shpresë të sinqertë, se do të jetë shumë më ndryshe, pra shumë më i mirë se paraardhësit e tij në pushtet.
Por, kjo shpresë është kthyer shpesh në shqetësim të thellë për mua, për shkak të lejimit të tij të përhapjes së elementit politik islam në partinë e tij.
Shpesh e ngushëlloja veten se ishte vetëm një metodë e përkohshme populiste, për të mbledhur sa më shumë vota të pista, për një çështje të ndershme dhe të pastër kombëtare e shtetërore.
Megjithatë, sa më shumë që kalon koha, aq më shumë shqetësohem se ky nuk është thjesht një fenomen negativ i përkohshëm, por një virus që mund të shkaktojë një pandemi të rrezikshme.
I lutem Zotit, që ta kem gabim!
Kur analizoj potencialin real profesional, etik dhe moral të çdo individi të rëndësishëm nga partitë tona parlamentare, shpejt arrij në përfundimin se ai nuk është i denjë as për Ligën Arabe, e lëre më për Bashkimin Evropian.
Fatmirësisht ne kemi ende mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përndryshe do të bëheshim edhe një herë komunë e Nishit.