Në konferencën përpara ndeshjes me Erzenin, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, u shpreh se skuadra është gati për këtë sezon të ri dhe se lojtarët hyjnë me ide të qarta.
“Kemi punuar shumë për këtë ditë. Kemi filluar përgatitjet shumë herët. Kemi marrë pjesë në Europë. Ndoshta nuk ja dolëm, edhe pse dëshira ishte shumë e madhe, por kundërshtari ishte shumë i fortë, të flasim realitetin. Gjithsesi, nuk jemi pishman.
Objektivat janë të jemi sa më të fortë në kampionat. Mezi po presim ditën e nesërme. Do të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Duhet ta vlerësojmë kundërshtarin, nuk ka rëndësi është Erzeni apo kampionia në fuqi. Do të jetë i njëjti impenjim. Duhet të shkojmë me këtë ide. Pastaj duhet të përballemi me të gjitha episodet që na jep ndeshja.
Nuk kishim ndonjë dëshirë ta nisnim brenda ose jashtë. E rëndësishme është ta nisnim me fitore. Pastaj javën tjetër jemi sërish në “Loro Boriçi”.
As vitin e kaluar, as para vitit të kaluar, as këtë vit, Vllaznia s’ka pasur grupime. S’ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Te Vllaznia ka pasur gjithnjë harmoni mes lojtarëve dhe do të ketë harmoni. Dhe këtë vit ky grup duket i bashkuar, ka harmoni, ka dëshirë. Tani të shohim.
Para vitit të kaluar, vitin që u shkëputëm shumë dhe humbëm titullin, ndoshta nuk kishim ato pretendimet. Ishim një grup i ri i formuar, por ja dolëm. Fituam Kupën e Shqipërisë. Dolëm nënkampion, e humbëm titullin për një pikë. Vitin e kaluar hymë me objektiva shumë madhore dhe ky ishte gabimi jonë, sepse presioni na bëri që në përfundim të fazës së dytë na bëri që të ishim jashtë gare. Këtë vit do të futemi me ide të tjera. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të shpresojmë që çdo gjë të na eci mbarë.
Besoj se jam në formë optimale. Gjithsesi këtë duhet t’ia lëmë fushës, nuk duhet ta tregojmë me fjalë. Pata një dëmtim që tani e kam kaluar dhe jam në 100% tim. Mezi po pres ditën e nesërme.
Jemi një grup shumë i mirë. lojtarët që janë afruar janë harmonizuar shumë mirë me ekipin. Nuk ka rëndësi ndeshjet miqësore, sepse ndoshta keni pritur rezultate të tjera. Unë besoj se ekipi është mjaft i mirë. na mbetet ta tregojmë në fushën e lojës.
Konkurrenca rrit nivelin e skuadrës. Kjo është gjë shumë e mirë, sepse ka shumë lojtarë që duhet ta justifikojnë formacionin. Kjo është gjë e mirë sepse kampionati është i gjatë. Mund të kemi dëmtime, mund të kemi kartonë, do të jetë dhe Kupa. Dhe një skuadër të ketë shumë lojtarë cilësor është diçka pozitive”, u shpreh Gurishta.