Enti Shtetëror për Revizion ka publikuar raportin për revizionin e raporteve financiare dhe revizionin e pajtueshmërisë në Gjykata Themelore Kumanovë, ku janë konstatuar një sërë dobësish dhe parregullsish në menaxhimin financiar, evidencën e mjeteve dhe funksionimin administrativ të institucionit, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportit, regjistrimi i mjeteve dhe detyrimeve nuk është kryer në përputhje me rregullat e përcaktuara, ndërsa një pjesë e mjeteve të luajtshme janë nxjerrë dhe ruajtur te një subjekt juridik privat pa evidencë adekuate, pa kontratë dhe pa kushte për mbrojtje. Për shkak të kësaj, nuk ka qenë i mundur riregjistrimi dhe identifikimi i tyre.
Revizorët kanë evidentuar edhe kushte të papërshtatshme për ruajtjen e dokumentacionit në hapësirat e bodrumit, si dhe dobësi në zbatimin e procedurave të prokurimit publik.
Një nga çështjet më serioze lidhet me depozitat gjyqësore. Në raport theksohet se nuk janë ndërmarrë aktivitete për harmonizimin e gjendjes kontabël me gjendjen faktike të mjeteve monetare dhe detyrimeve mbi bazën e depozitave gjyqësore. Depozitat përfshijnë periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2024, por nuk është përcaktuar statusi i lëndëve nëse janë të përfunduara apo të papërfunduara.
Gjithashtu, është konstatuar se nuk ekziston evidencë elektronike për mjetet monetare dhe sendet e konfiskuara, ndërsa regjistri aktual mbahet vetëm në formë të shkruar dhe nuk përditësohet me kohë. Sipas raportit, nuk është kryer as shqyrtim i plotë i operacioneve me mjetet e depozitave nga viti paraprak.
Revizorët kanë konstatuar edhe se kryetari i gjykatës nuk ka realizuar dy herë në vit shqyrtimin e plotë të punës materiale dhe financiare, siç parashihet me rregullat përkatëse.
Në raport janë theksuar edhe disa dobësi sistemore, përfshirë mungesën e dispozitave për përcaktimin e pagave të punonjësve teknikë dhe ndihmës në gjykata, mungesën e kuadrit në njësinë për punë materiale-financiare dhe mosplotësimin e pozitës së udhëheqësit të kësaj njësie.
Po ashtu, revizioni ka evidentuar se nuk është përcaktuar forma dhe përmbajtja e formularëve për evidencën e depozitave gjyqësore, si dhe ekzistojnë mospërputhje në rregullativën ligjore dhe nënligjore lidhur me pronësinë e sendeve të depozituara që vjetërsohen pas dhjetë vitesh nga dorëzimi i tyre.
Enti Shtetëror i Revizionit në raportin për revizionin e raporteve financiare dhe revizionin e pajtueshmërisë në Ministrinë e Çështjeve Evropiane për vitin 2024, ku janë evidentuar disa mangësi dhe dobësi në menaxhimin financiar dhe administrativ të institucionit.
Burimi: lajmpress.org


