Kanada ka vendosur një taksë doganore prej 25 për qind për importin e disa automjeteve dhe pjesëve të automjeteve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përgjigje ndaj masave të njëjta të marra nga SHBA-ja.
Këto janë taksa që do t’u duhet t’i paguajnë konsumatorët kanadezë gjatë blerjes së disa automjeteve apo pjesëve të tyre të prodhuara në SHBA.
Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Champagne, konfirmoi se masat hyjnë në fuqi menjëherë pas mesnate të mërkurën, duke theksuar se Kanadaja po përgjigjet ndaj “taksave të pajustifikuara dhe të pakuptimta” amerikane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pas rikthimit në pushtet, ka nisur një valë të re tarifash doganore, si të përgjithshme ashtu edhe të drejtuara, kundrejt partnerëve kryesorë tregtarë si Kanadaja. Ai pretendon se me këto masa po përpiqet të korrigjojë padrejtësitë në tregtinë globale.
Kanadaja nuk është prekur drejtpërdrejt nga raundi i fundit i tarifave amerikane që gjithashtu hyri në fuqi në mesnatë, por prej kohësh është në mosmarrëveshje me Uashingtonin për masat më të vjetra të Trumpit që përfshijnë tarifa për shumë produkte që kalojnë kufirin.
“Do të mbrojmë punëtorët tanë, kompanitë tona dhe ekonominë tonë”, shkroi Champagne në platformën X, duke konfirmuar se Ottava po ndërmerr masa kundërpërgjigjeje.
Sipas udhëzimeve të qeverisë kanadeze, importuesit do të duhet të paguajnë një tarifë prej 25 për qind.
Automjete të montuara plotësisht në SHBA që nuk plotësojnë kushtet e marrëveshjes së tregtisë së lirë CUSMA (versioni kanadez i USMCA);
Përmbajtje të automjeteve (p.sh. pjesë) që nuk është me origjinë nga Kanadaja apo Meksika dhe që është përfshirë në një automjet të montuar në SHBA, edhe nëse automjeti përmbush rregullat e CUSMA.
Masat vijnë në një moment kur kryeministri kanadez, Mark Carney, ndodhet në mes të fushatës elektorale, dhe një nga veprimet kryesore parazgjedhore është pikërisht një përgjigje e fortë ndaj politikës tregtare të Donald Trumpit.
Tensionet janë shtuar më tej edhe nga deklarata e fundit e Trumpit se do të “merrte nën kontroll Kanadanë”, e cila ka shkaktuar reagime të ashpra në publik dhe në mesin e politikanëve.
Burimi: botasot.info